Përurohet Pazari i Ri, Rama: Ne hapim çadra pune

14/03/2017 00:00

Dita e Verës në Tiranë nisi festimet me përurimin e Pazarit të Ri, një projekt që ka shndërruar gjithë zonën, dikur në gjendje degradimi urban. 308 biznese janë të vendosura aty me mbi një mijë persona të punësuar.

Në përurim, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama dhanë edhe mesazhe politike.

“Kemi dy Shqipëri. Një Shqipëri që beson te puna dhe bashkimi, por ka edhe një Shqipëri që beson tek gjumi dhe përçarja. Edhe sfondi i pazarit i ngjan një çadre, por është çadër e punës”, tha Veliaj.

Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi: “Vetëm sot mund të shikojmë çfarë fuqie ka vota, duke bërë zgjedhjen e duhur. Imagjinoni si do ishte sot këtu, sikur në vitin 2015 bashkia të mos ishte kthyer nga një konvikt me një dhomë të madhe gjumi ku gërrhiste kryetari i bashkisë, në një shtëpi të përbashkët të komunitetit”.

Kryeministri tha se shqiptarët kanë fuqinë e votës për të sjellë më pas ndryshimin: “Nuk është njësoj kjo çadër këtu, me atë atje. Ata njerëz të zakonshëm që janë këtu tani dhe që sot fillojnë punë për të ushqyer me punën e tyre të ndershme familjet e tyre, dhe ata të tjerët që janë disa qindra metra larg dhe u thonë të papunëve hajdeni me ne që të mbajmë në punë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”.

Përveç projekteve të radhës së bashkisë së kryeqytetit, kryeministri tha se së shpejti do të nisë ndërtimi i 20 shkollave të reja në Tiranë, për t’i dhënë fund mësimit me turne.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel