Në Greqinë e gërryer nga kriza ekonomike, një shtëpi për fëmijët e abuzuar po kujdeset tani edhe për fëmijë, prindërit e të cilëve e kanë thuajse të pamundur t’i ushqejnë apo të kujdesen për ta çdo ditë.

“Bëhet fjalë për prindër të vetëm, ku nëna bën punë me turne dhe nuk ka një familje që ta mbështesë. Ose mund të jenë prindër që kanë humbur të dy vendin e punës dhe po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të qëndruar në këmbë”, tha Iro Zervaki, drejtoreshë e qendrës.

Një e katërta e forcës punëtore në Greqi është e papunë, ndërsa një e katërta e fëmijëve të vendit jetojnë në varfëri, sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara.

Qendra e ngritur thuajse një shekull më parë për jetimët e luftës, me zor ia del të përballojë numrin e prindërve që i drejtohen për ndihmë. Duke mos qenë në gjendje të plotësojnë nevojat bazë, prindërit i lënë fëmijët në qendër gjatë javës dhe i marrin në fundjavë, ose ka edhe fëmijë që lihen gjatë ditës.

Drejtoresha e qendrës thotë se ka pasur edhe incidente, pasi shumë herë fëmijët përpiqen të largohen për t’u bashkuar me nënat e tyre. Fëmijët, të moshës nga dy deri në 5 vjeç, me zor presin që të vijë fundjava, por nuk dinë t’i dallojnë ditët, ndaj çdo ditë pyesin “a është sot e premte?”.

Por ndonjëherë edhe fundjavat janë të vështira, pasi disa prindër janë edhe pa shtëpi. Financimet shtetërore janë reduktuar dhe mbulojnë vetëm pagat e gjysmës së stafit. Qendra varet te donacionet për ushqime dhe veshje, ndërsa drejtuesit thonë se nuk e dinë nëse do të mund të bëjnë pagesat muajin e ardhshëm.

Top Channel