Parlamenti Europian shtyu sesionin plenar mbi progresraportin e Maqedonisë, të planifikuar të mbahej këtë javë. Arsyeja, përse eurodeputetët vendosën që votimi të mos kryhej tani, është pikërisht kriza e tejzgjatur politike.

Dokumenti mbi përparimin e vendit përfshin ndër të tjera edhe rekomandimin për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. “Radio Europa e Lirë” sqaron ndërkohë se, Lidhja Social-Demokrate po zhvillon bisedime me partitë politike shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit, i cili me gjasë mund të mblidhet këtë javë.

Edhe Lëvizja Besa është në pritje të marrjes së nismës për zhbllokimin e Parlamentit.

Njohësit e çështjeve politike mendojnë se, në situatën kur kreu i shtetit refuzon të japë mandatin e krijimit të qeverisë nuk duhet humbur kohë, por duhet zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit, duke reflektuar shumicën parlamentare, që erdhi si rezultat i zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

Analisti Nikola Dujovski arsyeton se, nuk ka përse të ekzistojë frika nga protestat kundër të drejtave të shqiptarëve, të cilat sipas tij janë thjesht lëvizje në funksion të mbrojtjes së pushtetarëve aktualë, që duhet të japin llogari para organeve të drejtësisë.

Konstituimi i Parlamentit pritet të zhvillohet në një atmosferë tejet të tensionuar, me presidentin Ivanov që refuzon dhënien e mandatit dhe udhëheqësin e VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, nga ana tjetër, që ka shtuar kërcënimet për destabilizimin e vendit, duke mbuluar me gjoja revoltën e popullatës faktin që nuk arriti të krijonte qeverinë, edhe pse nga zgjedhjet fitoi dy vende më shumë në Parlament sesa LSDM-ja.

Makthin që i shkakton miratimi i “platformës shqiptare”, ish-kryeministri e tregoi edhe njëherë me përsëritjen e ftesës drejtuar Zaevit për mbështetje në krijimin e ekzekutivit, nëse angazhohet për një Maqedoni të bashkuar dhe shumetnike, e jo një shtet dygjuhësh.

Top Channel