“Hakmarrja”, Prokuroria bën rekurs

14/03/2017 00:00

Kur Gjykata e Apelit për Krime të Rënda me argumentin se provat janë të pavlefshme shpalli të pafajshëm 10 të dyshuarit si pjesë e “Hakmarrjes për Drejtësi”, Prokuroria këmbëngul që kjo dosje të rigjykohet nga fillimi në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Por, për shkak të një vendimi të 2016 të Gjykatës së Lartë, organi i akuzës është zënë mat dhe nuk mundet që përmes rekursit të kërkojë dënimin apo shpalljen fajtore të 10 të dyshuarve.

Kështu që e vetmja lëvizje që i ka ngelur Prokurorisë është ajo e marrjes së një vendimi po në këtë gjykatë për rigjykimin e dosjes.

Megjthatë, një vit më parë Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i ka konsideruar të pavlefshme provat e mbledhura ndaj 10 personave të akuzuar si pjesë e “Hakmarrjes për Drejtësi”.

Sipas këtij konstatimi, Gjykata e Lartë e rikthyer dosjen për rigjykim në Apelin e Krimeve të Rënda, që e ndodhur në kushtet kur provat janë nul, nuk mundej të shprehej ndryshe.

Por në rekursin e saj, Prokuroria shpreson se dërgimi i të ashtuquajturës “Hakmarrja” në Shkallën e Parë do t’i japë mundësi të rishikohen një më një edhe veprimet hetimore paraprake të grumbulluara kundër 10 personave.

Përgjatë 21 viteve gjykim, 10 të dyshuarit, mes tyre Orik e Laert Shyti dhe Altin Arapi kërkuan pafajësinë në një odise me  kthime dhe rikthime nga njëra gjykatë në tjetrën.

Provat që Gjykata e Lartë i pohoi si të manipuluara përfshijnë jo vetëm një dokument të sekuestruar, në të cilin sipas ekspertëve grafikë, shkrimi që përshkruan platformën e “Hakmarrjes për Drejtësi” është i falsifikuar, por edhe këqyrje banesash, marrje dëshmish dhe sekuestro të ndryshme.

Gjykata shpalli të pafajshëm:
Orik Shyti
Altin Arapi
Gentian Caka
Nikolin Novruzaj
Roland Shyti
Leart shyti
Kreshnik Spahiu
Pasho Novruzaj
Gëzim Gjoni
Dritan Hate

Top Channel