Festa e Ditës së Verës

14/03/2017 00:00

Festa e Ditës së Verës ka mbushur sot sheshet dhe rrugët e shumë qyteteve të vendit.

Kukësi
Kuksianët kanë zgjedhur ta dëbojnë simbolikisht dimrin me zjarre aspak tradicionale. Në vend të druve të mbetura nga stina e ftohtë, për të ndezur zjarret e natës së verës, të rinjtë dogjën gomat  e vjetra të makinave pranë pallateve të banuara.

Lezhë
Ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit festa e Ditës së Verës këtë vit në Lezhë u zhvendos në bregdetin e Shëngjinit në zonën e Lagunës së Kunes. Përveç piknikut të qytetarëve lojërat e ndryshme sportive ishin pjesë e organizimit.

Korça
Në Korçë në “Pazarin e Vjetër” të qytetit shumë njerëz kanë festuar mes zjarreve dhe aktiviteteve të shumta fundin e stinës së dimrit. Në këtë qytet kjo është festa e dytë  e pranverës pas 1 marsit të besimtarëve ortodoksë.

Lushnja
Edhe në Lushnjë qytetarë dhe nxënës shkollash ndoqën një paradë karnavalesh. Ndërsa të ardhurat e një panairi  me gatime të zonës së Myzeqesë, do të shkojë për qendrën e Personave me Aftësi të kufizuar në Lushnjë.

Vlora
Në Vlorë Bashkia organizoi aktivitete në sheshin Pavarësia me koncerte e kënd lojërash dhe urimi i kryetarit të Bashkisë Dritan Leli ishte që kjo verë ta gjejë Vlorën me më shumë turistë.

Përmeti
Për të dytin vit festa e Ditës së Verës po organizohet edhe në qytetin e Përmetit ku nxënësit e shkollave 9 vjeçare u bënë protagonistë të  ritualit të mbledhjes se parave dhe ëmbëlsirave.

“Ëmbëlsirat presupozojnë që ky vit të jetë i ëmbël dhe ato pak lek që mblidhen presupozon që të kemi një gjendje financiare më të mirë. Fillon me perëndimin e diellit dhe fëmijët shkojnë shtëpi më shtëpi ose në rrugë dhe këndojnë një këngë”, sqaron Marjana Nikolla, mësuese.

Edhe në këtë qytet nuk munguan zjarret, ndezja e të cilave simbolizon largimin e dimrit  dhe ardhjen e pranverës.

Top Channel