Basha takon Alfanon: Qeveria teknike zbaton prioritetet e integrimit

14/03/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua sot në Tiranë me ministrin e Jashtëm të Republikës së Italisë, Angelino Alfano.

Sipas zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, diskutimi u fokusua tek aktualiteti politik në vend dhe tek kërkesat e PD-së për zgjedhje të lira e të ndershme. Basha i tha ministrit të Jashtëm italian se qeveria teknike është mënyra e vetme për të dalë nga kriza dhe për të siguruar votë të lirë e të ndershme, sipas standardeve europiane. “Integrimi europian është proces jetësor për Shqipërinë dhe pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë Shqipëri Europiane”, pohoi Basha.

Kryetari i Opozitës sqaroi se këto standarde europiane në zgjedhje mund të realizohen vetëm duke pasur një qeveri teknike që angazhohet për të zbatuar prioritetet kryesore integruese si; dekriminalizimi, lufta pa kompromis ndaj drogës dhe parave që çlirohen nga ky trafik, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatim i i refromës në drejtësi në përputhje me ndryshimet kushtetuese të 22 korrikut të miratuara me konsensus.

Top Channel