Zgjedhjet, dy qëndrime. Presidenca pret Kushtetuesen të vendosë për Kavajën

13/03/2017 00:00

Në kohën kur zgjedhjet janë në qendër të diskursit politik në vend, ku nga njëra anë opozita kërkon qeveri teknike ose në të kundërt paralajmëron një bojkot të mundshëm të tyre dhe nga ana tjetër qeveria, e cila e refuzon kategorikisht këtë kërkesë, pikëpyetje ngrihen dhe mbi zgjedhjet që do të mbahen në Kavajë.

Opozita do shprehet nëse do marrë pjesë apo jo në to, kur të dekretohet data e zgjedhjeve. E pikërisht këtu qëndron ngërçi.

Gjykata Kushtetuese është shprehur me vendim më datë 7 mars për rrëzimin e kërkesës së Elvis Roshit, por deri më sot Presidenti ende nuk ka dekretuar asnjë datë për zgjedhjet në Kavajë.

E kontaktuar nga Top Channel, Zyra e Shtypit e Presidencës u shpreh se deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga Gjykata Kushtetuese për këtë rast, e për këtë arsye nuk ka ende një dekret të kreut të shtetit, i cili sipas Kodit Zgjedhor, ka 48 orë afat për të dekretuar datën e zgjedhjeve.

Por i ndryshëm ka qenë qëndrimi në rastin e Shukri Xhelilit. Gjykata Kushtetuese e dha vendimin për të më 1 gusht 2016.

Vetëm 24 orë më pas, Presidenti Bujar Nishani, dekretoi datën e zgjedhjeve në Dibër. Vendimi përfundimtar u zbardh vetëm 3 muaj më vonë. Burime për Top Channel thanë se në këtë rast, edhe pse nuk është procedurë zyrtare, Gjykata Kushtetuese, veç palëve në proces, ka njoftuar dhe Presidencës, gjë të cilën nuk e ka bërë në rastin e Elvis Roshit.

Në kohën kur zgjedhjet dhe reforma në drejtësi janë kryefjala e politikës shqiptare, data e zgjedhjeve të parakohshme në Kavajë, është në dorën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel