Veliaj: Bileta elektronike brenda vitit

13/03/2017 00:00

Shumë shpejt në linjën e re që sapo ka nisur punë Farkë- Sauk i Vjetër- Kopshti Zoologjik- Ish Stacioni i trenit do të futet në përdorim dhe bileta elektronike. Ka qënë vetë kryetari i bashkisë Erion Veliaj i cili ka inspektuar këtë linjë.

“Brenda këtij viti do të fusim biletën elektronike, e cila do të zgjidhë përfundimisht disa ngërçe të vogla që kemi, ndonëse sot me futjen e GPS dhe kontrollet që po bëjmë në secilin autobus, kemi një ndryshim të jashtëzakonshëm të situatës”, u shpreh kryebashkiaku.

Banorët e Farkës dhe zonës së Kopshtit Zoologjik nuk do të udhëtojnë më me autobusë të vjetër, pa kushte dhe të amortizuar, pasi tashmë ato janë përmirësuar.

“Kemi një lajm shumë të mirë për të gjithë banorët e zonës sepse nga një transport primitiv, i nivelit dum-dum, ku njerëzit futeshin si sardele në autobusë, kemi kaluar në një sistem jashtëzakonisht modern, ku njihet aboneja, me një linjë të re e cila fillon në Farkë, kalon në të gjithë zonën e Kopshtit Zoologjik dhe arrin në qendër të Tiranës, për të vazhduar deri te ish Stacioni i Trenit”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai vlerësoi faktin se tashmë banorët e kësaj zone mund të udhëtojnë vetëm me një biletë, pa qenë e nevojshme të ndërrojnë autobusë. Veliaj theksoi se kjo linjë e njeh abonenë, duke u mundësuar frekuentuesve të rregullt të transportit publik lehtësi edhe më të madhe financiare.

“Kemi mbajtur një premtim, kemi futur abonenë, kemi një çmim të njëjtë në të gjithë qytetin, edhe për linjëb e Farkës, dhe mbi të gjitha sot kemi një kapacitet që është 3-fishuar, me 11 autobusë dhe me një frekuencë çdo 10 minuta, e cila do të priret të shkojë deri në çdo 5-6 minuta”, shtoi Veliaj.

Top Channel