Shkëndija në koalicion. Gjosha: Meta kryeministër. Kosta: LSI ta provojë e vetme

13/03/2017 00:00

Aleatët e socialistëve në koalicionin aktual qeveritar e konsiderojnë të drejtë kushtetuese të Edi Ramës si kryeministër të bëjë ndryshimet e ministrave.

Në prag të përvjetorit të 4 të marrëveshjes historike Rama-Meta në Shkodër më 1 prill 2013, kryetari i deputetëve të LSI-së, Luan Rama thotë se koalicioni është në punë dhe duhet të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve.

“Për ndryshimet e fundit në qeveri nuk mund të kem vlerësim tjetër dhe ndryshe nga vlerësimi im konstant, që është një e drejtë kushtetuese e kryeministrit  dhe mbi bazën e kësaj të drejte ai i ka të gjitha tagrat ligjore të bëjë ndryshimet që ka bërë”, tha Luan Rama.

TCH: Do të vijojë ky koalicion?

Luan Rama: Koalicioni është në punë dhe duhet të përmbushë pikë për pikë detyrimet që ka ndaj qytetarëve dhe LSI-ja do të vijojë të japë kontribuojë me të gjithë seriozitetin maksimal.

Ndërsa as kryetari Meta, as kreu i grupit Rama nuk e zyrtarizojnë koalicionin e ri me socialistët në 18 qershor është ministrja e Integrimit, Gjosha që u foli grave të Pogradecit për LSI-në, forcë e parë në këto zgjedhje dhe me Ilir Metën kryeministër.

“Kam bindjen që 18 Qershori i këtij viti do t’ju gjejë ndryshe. Do t’ju gjejë jo vetëm me fitore të madhe, por do t’ju gjejë me LSI-në si forcë të parë dhe këtë e kemi të padiskutueshme. Jo vetëm në Pogradec, por në të gjithë Shqipërinë. Dhe mbi të gjitha, ne do të na gjejë me Ilir Metën Kryeministër. E kemi ndarë mendjen gra, mos t’u vijë keq burrave”, tha Klajda Gjosha.

Por deputeti Vladimir Kosta i ka ftuar deputetët e LSI-së të kandidojnë të vetëm në zgjedhje për ta zgjidhur kryetarin e tyre kryeministër.

“Baza nuk e ndjen të përshtatshme aleancën me LSI-në”, tha Kosta.

Deklarata e Klajda Gjoshës është përforcuar nga një tjetër ministër i LSI, Edmond Panariti, gjatë një takimi në Pustec.

“Është një kërkesë plotësisht legjitime e një force politike që të kërkojë që kryetari i saj të jetë kryeministër i vendit”, tha Panariti.

Top Channel