Rama: Tahirin e lirova, nuk e shkarkova. Ndryshime të tjera

13/03/2017 00:00

Pyetjeve të shumta në studion e Top Story për shkarkimin e Saimiri Tahirit, ministrit të cilësuar kampion të kësaj qeverie, kryeministri iu përgjigj se ai do të jetë udhëheqësi i fushatës së PS-së në Tiranë.

Rama preferoi ta quajë lirim dhe jo shkarkim, ndërsa mohoi që kjo të jetë kërkuar nga ndërkombëtarët apo Meta. Por ai paralajmëroi ndryshime të tjera nëse ministrat e tjerë drejtues fushate, nuk i përballojnë dot të dyja detyrat.

I pyetur se perse ai nuk e jep dorëheqjen si kryeministër dhe të merret me fushatën e Partisë Socialiste të 18 qershorit, duke plotësuar edhe një kërkesë të opozitës, Rama tha se ka mandat të plotë të Qeverisë.

Kryeministri u shpreh i bindur se opozita do të hyjë në zgjedhje dhe se është gati të negociojë me PD-në për çdo gjë të arsyeshme.

Sokol Balla: Lajmi kryesor është ndryshimet në qeveri. Nëse pyet opozitën thotë ditët e fundit të republikës së vjetër, nëse pyet një mbështetës të LSI-së, thotë se janë ditët e fundit të Edi Ramës, nëse pyet një socialist, do të thonë se nuk e dine se çfarë po ndodh. Qeveria u është nënshtruar disa ndryshimeve të thella. Cilat janë arsyet e vërteta pas këtyre lëvizjeve.

Edi Rama: Meqenëse përmende mbështetësit e PS, ju siguroj se ata e kanë të qartë që ne jemi me sytë nga 18 qershori dhe jo nga 18 shkurti.

Sokol Balla: Kjo është për t’u diskutuar.

Edi Rama: Ju mund të diskutoni gjërat tjera, po për mbështetësit e PS jam unë burim i sigurt. Unë doja të informoj se mbështetësit e PS e kanë shumë të qartë atë që po ndodh.

Sokol Balla: Si shpjegohet që larguat kampionin e ministrave, Saimir Tahirin?

Edi Rama: Një fakt që jam shumë krenar, ku në mjedisin opinionet i bëjnë burra që u duket vetja shumë të zgjuar, nuk është një fakt që ka rënë në sy, faktin që sot kemi një qeveri që ka 50 përqind burra dhe 50 përqind gra. Unë besoj që ky është një fakt që nuk meriton të lihet në harresë, por meqënëse në mjedisin tonë publik, aty ku bëhen thashetheme e konspiracione, nuk ka shans që një fakt i tillë të vlerësohet. Sot gratë shqiptare janë të përfaqësuara baraz me burrat.

Sokol Balla: Ju shkarkuar Tahirin se nuk ishte grua?

Edi Rama: Nuk thashë këtë. Unë dua të përmend me krenari këtë fakt.

Sokol Balla: Përse e larguat Saimir Tahirin?

Edi Rama: Unë nuk e kam shkarkuar Saimir Tahirin, nuk kam shkarkuar asnjërin prej ministrave. Jemi sot në një moment kyç. 18 qershori nuk vendos vetëm kush fiton zgjedhjet, por edhe si do të jetë Shqipëria pas 10 vitesh.

Sokol Balla: Shqiptarët votojnë për katër vitet e ardhshme jo për 10 vitet e ardhshme, tani më thoni përse u largua Saimir Tahiri nga Qeveria?

Edi Rama: Refuzoj që të qëndroj këtu nëse nuk më lejoni të vazhdoj të jap përgjigjen. Nuk e cakton ti është apo jo kushtetuese dhe gjithë kjo ndërprerje ishte e pavend. 18 qershori përcakton sesi do të jetë Shqipëria pas 10 viteve, ashtu sikundër zgjedhje të caktuara kanë përcaktuar Shqipërinë që ne trashëguam, ashtu zgjedhjet përcaktojnë Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Janë zgjedhje që vendosin nëse ky vend do të bëhet shtet, ku gjykatësit dhe prokurorët japin drejtësi dhe nuk e tregtojnë, nëse do të jetë vendi ku fëmijët tanë do të kenë një të ardhme më të mirë. Kjo ka të bëjë me vizionin dhe perspektivën e këtij vendi sepse 18 qershori është një zgjedhje afirmative për botën që po mundohemi të ndërtojmë dhe asaj që trashëguam në 2013. Unë kam bindjen se është ky momenti që ministrat që kanë një barrë shumë të madhe si ministra, por janë ndërkohë edhe drejtues qarqesh për PS. Saimir Tahiri është liruar nga një detyrë që kërkon një angazhim shumë të madh për të folur derë më derë dhe fshat më fshat në Tiranë për të treguar sesi ndërtuam Policinë e Shtetit dhe gjithë reformat dhe sesi me të njëjtën vendosmëri do të shtojmë reformat dhe këtë vend përpara. Kjo është një betejë që e kemi me njerëzit.

Sokol Balla: Ju pak vite më parë këtu keni thënë që të gjithë ministrat do të përfundojnë mandatin e tyre dhe keni thënë që ky ishte basti që vutë. Në momentin që ndatë mandatin e ministrit nga ai i deputetit, atëherë u detyroheni shikuesve se përse e ndryshuat këtë kontratë me publikun? Përse, Saimir Tahirin e lironi nga detyra, në një moment kur ai kërkohet të shkarkohet nga opozita?

Edi Rama: Saimir Tahiri nuk është shkarkuar asnjëherë për arsye të sulmeve të opozitës. Është ministri më i sulmuar. Janë mbi 1400 konferenca shtypi, statuse, sulme të shkruara nga PD, pra nga udhëheqja e PD dhe deputetët e saj mbi Saimir Tahirin dhe nuk është shkarkuar. Sot nuk kërkohet shkarkimi i Saimir Tahirit, sot ata që kanë dalë në bulevard kërkojnë shkarkimin e gjithë qeverisë. Kjo bëhet për të treguar dhe folur me njerëzit se përse meritojmë një mandat tjetër, sesi po luftojmë që të gjithë ata që kanë protagonistë të kësaj janë Ilir Beqaj, Saimir Tahiri, Blendi Klosi dhe Bledi Çuçi janë njerëzit që janë protagonistë për mirë apo për keq, këtë do ta gjykojnë njerëzit.

Sokol Balla: Keni “martirizuar” katër nga drejtuesit e reformave që ju vetë thoni që janë flamujt e kësaj mazhorance për një mandat të dytë?

Edi Rama: Nëse quhet martir dikush që lë karrigen e ministrit për t;u angazhuar në një betejë që vendos për Shqipërinë në dekadën e ardhshme…

Sokol Balla: Nuk më dhe përgjigjen, pse u shkarkua Tahiri? E keni cilësuar kampion? U shkarkua për shkak se kanabisi është një problem kombëtar? Apo se aleati juaj thotë që kanabisi është shqetësues në Shqipëri?

Edi Rama: Këta njerëz janë drejtues politikë të PS. Këta drejtojnë qarqe dhe kam kërkuar që në fillim dhe vazhdimisht që ngarkesa e madhe e punës së ministrit dhe e punës së drejtuesit të qarkut të përballohet për të shkuar sa më pranë për të diskutuar me njerëzit pa ndërmjetësim. Kjo është një betejë për njerëzit. Ne kemi nevojë sot të bëjmë këtë dhe kjo është PS. Pse duhet të japim llogari për opinionet, për konspiracionet dhe mendimet krejtësisht në hava që keni ju dhe nuk kemi të drejtë që të marrim kohën tonë për të folur me njerëzit. Ne kemi nevojë që të flasim me shqiptarët e zakonshëm që na kanë parë përmes filtrit të distancës që krijohet nga televizori dhe “Facebook” e të tjera. Udhëheqja e Tiranës, Gjirokastrës dhe Beratit në këtë betejë nuk janë një punë që mund të bëhet pa kohë të plotë në këtë fazë. Çadra kërkon qeveri teknike, nuk kërkon Saimir Tahirin. Këtu bëhet fjalë për qasjen tonë, ndërkohë që detyra e ministrit të Brendshëm është një detyrë me një ngarkesë të jashtëzakonshëm në këtë periudhë dhe nuk mund të bëhen të dyja në të njëjtën kohë në këtë fazë.

Sokol Balla: Më shpjego ndryshimin mes Saimir Tahirit dhe Damian Gjiknurit?

Edi Rama: Gjiknuri ka filluar një punë intensive prej kohësh në Qarkun e Vlorës dhe është duke e përballuar atë punë me gjithë ato parametrat që kërkohen.

Sokol Balla: Tahiri po bënte më keq punën e drejtuesit të Qarkut të Tiranës?

Edi Rama: Nuk është e njëjta gjë. Beteja e Tiranës është një betejë ku ne kemi ambicie që të fitojmë edhe më shumë se katër vite më parë. Damiani ka përballuar deri më tani ritmin e nevojshëm. Nëse nuk e përballon mund të ndryshojë.

Sokol Balla: Mund të ketë ndryshime të tjera në qeveri po thoni?

Edi Rama: E njëjta gjë edhe me ministrin e Jashtëm dhe ministren e Arsimit. Sot duhet dhe duam të flasim me shqiptarët. Të takojmë njerëzit në çdo cep dhe këta njerëz që janë parë si protagonistë të takohen si përfaqësues të PS e të dëgjojnë se çfarë do të bëjmë ne. Bushati ka punë shumë të rëndësishme, kemi edhe samitin e NATO-s në maj.

Sokol Balla: Ju thoni që këta ministra të rëndësishëm ka ardhur momenti të flasin pa ndërmjetës, të flasin me njerëzit. Në këtë vend nuk mund të ketë një qeveri teknike përsa kohë nuk jemi në kushtet normale për këtë. Kjo qeveri kanë marrë një mandat katërvjeçar për të qeverisur këtë vend dhe për këtë arsye nuk ka asnjë arsye për qeveri teknike? Përse nuk largoheni ju i pari, për të drejtuar PS, të shkosh në terren, të flasësh me njerëzit kënaq dhe kërkesat e opozitës për qeveri teknike?

Edi Rama: Unë jam kryetar i PS, nuk jam drejtues në një qark. Jam kryeministër dhe unë kam mandat kushtetues dhe një kontratë që jam në gjendje ta zbatoj plotësisht sepse nuk është se ikën ministrat për të parë punët e partisë dhe qeveri mbeti bosh. Këtu ministrat janë zëvendës nga ministra dhe ministre që do të garantojë që për asnjë sekondë puna e qeverisë të mos ndalojë. Mos u merrni me teori konspiracioni. Qëllimi i kësaj lëvizjeje është ky dhe vetëm ky. PS sot është në domosdoshmërinë që të shtrihet në territor dhe të udhëhiqet në këtë punë kaq voluminoze.

Sokol Balla: Ju thoni që nuk ka patur asnjë ndikim protesta e opozitës?

Edi Rama: Çfarë ndikimi mund të ketë kur opozita që kërkon qeveri teknike. Saimir Tahiri ishte ministër i Brendshëm. Kërkuan shkarkimin e tij para se të mbylleshin në çadër dhe nuk e morën dhe as kishin shans ta merrnin. Shqipëria nuk do të mbetet pa ministër të Brendshëm. Do të ketë ministër të Brendshëm që do të jetë në detyrë 24 orë. Ju siguroj që do të ketë një ministër të Brendshëm që do ta çojë përpara me shumë vendosmëri punën e bëri deri më tani.

Sokol Balla:A ishte dakord Tahiri për këtë gjë?

Edi Rama: Këtu bëhet fjalë për një ekip dhe Saimir Tahiri është një prej pjesëtarëve të këtij ekipi, është ekipi i PS, që ka një detyrë historike, të bëjë shtet. Nuk i kam kërkuar dorëheqje, as ka ardhur të dorëhiqet dhe as ka patur asnjë gjë të kësaj natyre.

Sokol Balla: Por si ndodhi?

Edi Rama: E kemi diskutuar këtë prej kohësh në kuptimin e nevojës dhe domosdoshmërisë që të ngremë një fushatë që do të ketë një qasje dhe në qendër njeriun e zakonshëm, për të cilin bëhet edhe lufta jonë me ata që janë në çadër, që nuk na ka borxh, por ne i kemi borxh që t’i shpjegojmë Shqipërinë që duam të ndërtojmë. Ata që flasin për republikën e re, janë pikërisht ata që nuk duan republikën e re. republika e re është republika ku prokurorët dhe gjykatësit japin drejtësi në këtë vend, që bëjnë që Shqipëria të mos marrë investimet e duhura për shkak të zallamahive që bëjnë me pronat dhe sipërmarrësit.

Sokol Balla: Nëse për lirimin e Tahirit, ka patur apo jo presion ndërkombëtar dhe ka patur apo jo bashkërendim dhe diskutim me Metën?

Edi Rama: As njëra dhe as tjetra. Kam folur me Metën, e kam informuar me këtë ide.

Sokol Balla: Fatmir Xhafaj, një zgjedhje që nuk ka kaluar pa koment.

Edi Rama: Besoj fort që është zgjedhja e duhur dhe do të vazhdojë punën e bërë nga Saimir Tahiri.

Sokol Balla: Do të jetë kryetar i reformës në drejtësi?

Edi Rama: Natyrisht që jo. Komisioni e ka përmbyllur misionin e tij.

Sokol Balla: Cili është mesazhi që i përcillni atyre që nuk kanë qenë shumë dashamirës në lidhje me ecurinë e reformës në drejtësi?

Edi Rama: Kjo është zgjedhja e 18 qershorit. Fokusi im është tek 18 qershori jo 18 shkurti dhe ne po organizojmë fazën finale të një mandati, ku krahas detyrës së qeverisë pa asnjë boshllëk të kryejmë një detyrë shumë të madhe; të tregojmë çka kemi bërë dhe çka duam të bëjmë dhe çka rrezikon vendin në 18 qershor dhe për këtë arsye të marrim një besim edhe më të madh se ai i 2013 për të bërë shtet, për të pastruar sistemin e drejtësisë dhe për të hapur shtigje të reja punësimi e rritje ekonomike.

Sokol Balla: Çfarë rrezikon vendi në 18 qershori?

Edi Rama: Shumë nëse besimi i cili ne kërkojmë të rikonfirmohet nuk është në atë forcë dhe me atë përcaktueshmëri bindëse nga pikëpamja e votës që kërkon mandati i dytë për të çuar përpara reformat që bëjnë shtet.

Sokol Balla: Në seancat e ardhshme të parlamentit, deri më tani sinjalet janë që këto ndryshime do të miratohet dhe respektohet detyrimi kushtetues, por sa i përket reformës në drejtësi, jemi në kushtet e një bojkoti total të opozitës, që prek reformën në drejtësi dhe një precedenti të panjohur deri më sot, atë të bojkotit të zgjedhjeve, ku shkojmë?

Edi Rama: Ne e vumë në program qeverisë reformën në drejtësi dhe aty kemi patur një debat se përse duhet ta vendosnim për sa kohë nuk mund të merrnim një shumicë për ndryshime kushtetuese. Jeni dëshmitar që e kam thënë që reforma në drejtësi do të votohet dhe kalojë. Po them që Vettingun nuk e ndalojnë dot, as me çadër, as me thirrjen për një republikë të re imagjinare. Vettingun do të vijnë ta votojnë. Mund ta vonojnë, por nuk mund ta ndalojnë. Ky popull ka sot të drejtën historike që të kërkojë të shikojë të ndahen menjanë gjykatësit dhe prokurorët me dinjitet dhe profesionalizëm nga ata që duhet të paguajnë çmimin dhe dëmin që i kanë bërë këtij vendi. është koha për të bërë një ndarje me thikë mes Shqipërisë që kemi trashëguar dhe Shqipërisë që duhet, duam dhe do të ndërtojmë dhe këtë ndarje e përcakton Vettingu si hap të parë dhe në atë çadër është frika nga Vettingu motivacioni themelor dhe pas kësaj janë të tjera që i shtyjnë të rrinë në çadër në vend që ta shohin 18 qershorin si destinacionin, ku çdo parti ka detyrimin të shkojë për të dhënë llogari.

Sokol Balla: Ka sinjale për mospjesëmarrjen në këto zgjedhje pa një qeveri teknike. Mendoni se do t’i bënte mirë këtij vendi zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës zyrtare?

Edi Rama: Jam i bindur që opozita do të hyjë në zgjedhje.

Sokol Balla: Jeni gati për një marrëveshje me ta, përveç kërkesës për qeveri teknike?

Edi Rama: Nuk ka opozitë në botë që thotë o ik ti, o ikni ju o s’ka. Unë kam qenë në çadër, kam kaluar nga rruga e drejtimit të opozitës dhe kam udhëhequr betejat e opozitës, por kurrë nuk më ka shkuar mendja se mund të hipi në majë të një pallati dhe të them hapni vendin se unë do hidhem ose më jepni mua gjithë pallatin. Kjo është një sjellje pa lidhje dhe ne, unë jam gjithmonë i gatshëm për të bërë çdo marrëveshje që kanë të bëjnë me rregullat e lojës, por marrëveshje që kanë të bëjnë me detyrime kontraktuale me shqiptarët, nuk negociohen me opozitën. OSBE nuk ka thënë ndonjëherë që në Shqipëri që nga 2013 nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka nxjerrë probleme, ka dhënë rekomandime dhe i kemi zbatuar. S’po i zbatojmë këtë herë sepse opozita thotë hapni vendin se do të hidhem.

Sokol Balla: Kemi zgjedhjet e 2015, ku OSBE është deri diku më kritike se 2013. Në këtë vend në këto 25 vjet, problemi kryesor ka qenë kontestimi i zgjedhjeve, në 2013 nuk pati kontestimi, në 2015 pati blerje të votës dhe intimidimi i votës e të tjera.

Edi Rama: Zgjedhjet e 2013 i fituam me 1 mln vota dhe për herë të parë në histori, KQZ e drejtonte opozita e sotme në 2015. Ne kemi të metat tona, por më thoni një arsye, pse duhen votuar ata që janë të çadra dhe ç’është kjo histori që zgjedhjet janë të paracaktuara?! Arsyet që njerëzit të kenë pakënaqësi dhe shqetësim me ne ka plot, por më thoni një arsye pse të votojnë që të mbajnë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar në punë. Këta jo vetëm nuk kanë reflektuar sepse ka frikë Saliu vettingun. Vettingun nuk e bën PS, do ta bëjnë shqiptarët që do të monitorohen nga ndërkombëtarët që të jenë garantë të shqiptarëve.

Sokol Balla: Në këtë studio, kryetari i kuvendit tha që Vettingu është një proces që është për shqiptarët dhe do ta bëjnë shqiptarët. Ministri i tij i drejtësisë ka patur vërejtje themelore në këtë drejtim. Këtu bëhet fjalë për njeriun që qëndron përkrah jush.

Edi Rama: Vasili ka shprehur shqetësime që janë shqetësime të qeverisë. Ndërkombëtarët janë këtu që të garantojnë procesin për të mos e kapur Edi Rama, siç thonë.

Sokol Balla: Vettingu do të jetë një kartë kryesore elektorale dhe politike?

Edi Rama: Është kartë kryesore për të ndarë Shqipërinë e të shkuarës me Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Sokol Balla: Fakti që ju e përmendni shpesh, është interpretuar sikur po e përdorni si “shpatë” për të ndëshkuar rivalët apo kundërshtarët tuaj politikë. Fakti që po e përdorni kështu, mos po jep efektin e kundërt për ju?

Edi Rama: Më 18 qershor do të pyesim qytetarët dhe do të dëgjojmë se çfarë thotë populli. Skeptikët dhe analitikët janë të mpleksur me interesa dhe gatuajnë të gjithë një supë dhe më pas u thonë shqiptarëve hajeni këtë supe.

Sokol Balla: Zgjedhja juaj e ministrit të Brendshëm ishte pikërisht një provokim në të njëjtin drejtim…

Edi Rama: Ajo që unë dhe ne në PS kemi punë është të shkojmë tek njerëzit e t’u themi se sa shumë është bërë, sa shumë mund të bëhet dhe çfarë kemi për të humbur. Cila është e vërteta për këtë alarmin kimik të lëshuar nga çadra? Nëse këtu ka një alarm kimik, atëherë këtu ka marrë fund çdo gjë. Gazetarët që shkojnë tek çadrat, pse nuk e verifikojnë dhe pse nuk i thonë çadrës dhe shqiptarëve që kjo është një poshtërsi. Kjo tregon dëshpërimin e çadrës. Të paguash për të nxjerrë një lajm të rremë të këtyre përmasave dhe jashtë shtetit. Ne do të hapim një gjyq për këtë. Kjo nuk ka ndodhur dhe ne kemi marrë konfirmim për këtë nga inteligjenca italiane e doganave. Ne do të hapim gjyq ndaj një portali që ka nxjerrë këtë lajm jashtë shtetit.

Sokol Balla: Në raportin e mbledhjes së Kryesisë së PS, sipas burimeve të keni thënë që çadra mbështetet nga shtete që jo domosdoshmërish i duan të mirën vendit tonë. A është e vërtetë dhe nëse po, çfarë keni dashur të thoni?

Edi Rama: Ne gjatë kësaj periudhë kemi bërë të ndjehen krenarë shqiptarët në raport me politikën dinjitoze në rajon dhe padyshim edhe për faktin se kemi vënë në çdo sekondë interesin kombëtar dhe dinjitetin kombëtar mbi çdo inerci të së shkuarës si sjellje e përulur apo si sjellje pragmatiste duke bërë sikur s’shikojmë dhe s’dijmë për çështje të ndjeshme dhe praktikisht vlerësohemi me superlativa për çka i kemi dhënë dimensionit të paqes në rajon. Nuk është sekret që Shqipëria ka miq të mirë, por ka edhe qarqe që nuk jetojnë për t’i bërë mirë Shqipërisë. Ajo që mund të shtoj këtu, është se partnerët tanë strategjikë do të dëshpëroheshin nëse Shqipëria do të shkonte në drejtim të gabuar, nëse për arsye të politikës dhe interesa të pushtetit, në Shqipëri do të ndodhnin gjëra që i shkojnë kundër gjithë këtij procesi, por ka të tjerë që do ta dëshironin këtë gjë.

Sokol Balla: Pse më duket sikur i referoheni Greqisë?

Edi Rama: Më lër ta mbaroj në parim. Një kryetar opozite mund të shkojë në një vend që të thotë më ndihmoni që të hedh në erë këtë pengesë që kam dhe unë jam në dorën tuaj. Unë uroj që ky të mos jetë rasti. Siç partnerët tanë i kanë sytë tek zhvillimet dhe duan që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë angazhuar që të japin maksimumin për to, të tjerë janë angazhuar ose janë gati të angazhohen për të kundërtën. Kaq mund të them unë sot. Flas për qarqe të caktuara.

Sokol Balla: Ju vlerësuat katër ministrat në mënyrë maksimale, do të thotë kjo që mund të jenë sërish ministra në një mandat të dytë nëse fitoni zgjedhjet?

Edi Rama: Ne kemi bërë gjithçka kemi ditur dhe kemi parë të udhës se duhet të bëjmë. Sot kërkojmë një mandat të dytë dhe sot nuk jemi më në kushtet e 2013 për disa arsye sepse këta ministra sot suksesi i këtij mandati dhe këta ministra duhet t’u garantojnë njerëzve se kjo qeveri meriton një mandat tjetër për të vazhduar atë që ka nisur. Secili prej tyre pas zgjedhjeve do të kthehen me rezultatin e Partisë Socialiste dhe në bazë të këtyre rezultateve do të kenë vlerësimin.

Sokol Balla: Për dy javë mbushen katër vjet nga kontrata me LSI, nga 1 deri tek 10, si e vlerësoni a do të ripërtërihet kjo kontratë?

(Kryeministri ngre 10 gishtat)

Sokol Balla: Pra 10?

Edi Rama: Po.

 

Top Channel