“Meta kryeministër, pasi të fitojë shumicën e votave i vetëm”

13/03/2017 00:00

Vladimir Kosta, deputeti socialist i njohur për qëndrimet e tij të ashpra kundër aleancës mes PS dhe LSI, me anë të një statusi në Facebook, i është përgjigjur kërkesave të ministrave Gjosha dhe Panariti, të cilët kanë kërkuar që Ilir Meta të jetë kryeministër.

“Patjetër që duhet ta shohin Metën si kryeministër, por pasi të fitojë shumicën e votave i vetëm, pa aleancë. Nëse i vetëm fiton qoftë edhe 25% të vendeve në Parlament, hallall ja bëjmë postin e kryeministrit! Nëse doni kryeministrin, dilni më vete dhe provojeni ta merrni. Ndërkohë, për sa kohë na quani dhe u quajmë aleatë, silluni si të tillë, të paktën publikisht”, shkruan Kosta.

Më tej, ai vijon duke kërkuar dhe një herë që Partia Socialiste të dalë e vetme në zgjedhje, si një kërkesë e bazës, e jo në koalicion me LSI. E në fund, Kosta nuk ngurron të sulmojë dhe deputetët socialistë.

“Ka deputetë socialistë që sot shpalosin forcën apo avantazhet e LSI dhe kanë filluar mendojnë njëlloj si ministrat apo deputetët e LSI”, shkruan deputeti socialist në Facebook.

Top Channel