As thirrjet ndërkombëtare dhe as ato të brendshme nuk e kanë detyruar Gjorge Ivanovin të ndryshojë qëndrim.

Presidenti maqedonas deklaroi se, pengesat për dorëzimin e mandatit të krijimit të qeverisë nuk janë kapërcyer ende, ndaj dhe ai vazhdon t’i qëndrojë vendimit të datës 1 mars, kur iu drejtua qytetarëve duke kërkuar publikisht që të rrëzohet “platforma shqiptare” e mbështetur nga Zoran Zaev, e cila vë sipas tij në pikëpyetje interesat shtetërore.

“Përderisa presidenti jam unë, – ishte deklarata e tij, – atëherë vendos të mos ia jap mandatin një personi apo partie që vë në rrezik shtetin, integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë. Nuk do të tërhiqem nga këto vlera themelore, me të cilat askush nuk ka të drejtë të bëjë tregti”.

Një sërë diplomatësh europianë zbarkuan në Shkup në mesin e krizës politike, me mesazhe të qarta për zgjidhjen e saj.

Pas ndalesës së Federica Mogherinit, një impuls të ri i dha këtyre përpjekjeve vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së dhe ajo e të dërguarit special të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Europën Juglindore dhe Turqinë.

Mungesa e një reagimi të Ivanovit u pasua nga konferenca për shtyp e udhëheqësit socialdemokrat, ku Zaev shpalosi programin e vet qeveritar, edhe pse pa mandatin e krijimit të ekzekutivit.

Më parë, ai kishte pohuar për mediet e huaja se mund të kërkojë “dritën jeshile” të Parlamentit për krijimin e qeverisë së re, duke anashkaluar kompetencat e Ivanovit.

Organizatorët e protestës kundër “platformës shqiptare”, ndërkohë, kanë deklaruar se do të protestojnë në 31 qytete të Maqedonisë, e duken të bindur se lëvizja e tyre do të marrë mbështetje të gjerë nga qytetarët.

Top Channel