Spitali i Traumës, në të cilin po investohen 8 miliardë lekë për një ndryshim rrënjësor të infrastrukturës në të gjithë repartet, si shërbimin e urgjencës, bllokut operator, reanimacionit, fizioterapisë e të tjera, është dëshmi e rilindjes së shëndetësisë, vlerësoi kryeministri Edi Rama, teksa u njoh me ecurinë e punimeve.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj tha se në fillim të majit, çdo gjë është gati: “Këtu po bëhemi gati ta ndryshojmë komplet shërbimin e fizioterapisë në Spitalin e Traumës. Në mjediset e farmacisë se vjetër do të bëjmë mjediset e recepsionit dhe sallën e ndenjes së familjarëve, që deri tani rrinë në dhomat e të sëmurëve. Ka një sistem të ri të veçantë që është tavanor, në mënyrë që të përdorim teknologjinë e re për të administruar çdo të sëmurë që është në reanimacion. Janë duke u investuar në këto moment më shumë se 8 miliardë lekë dhe në ditët e para të majit gjithçka do të jetë funksionale”.

Ky investim transformon tërësisht shërbimin e fizioterapisë, të cilin kryeminsitri e vlerësoi si shembull të rezultateve të reformës në shëndetësi.

“Një nga simbolet e rrënimit të shëndetësisë, spitali që u bë sallatë 20 e ca vjet dhe ky transformim hap një kapitull komplet të ri, faktikisht rilind Spitalin e Traumës, duke krijuar kushte komplet të tjera dhe duke dhënë një shembull shumë kuptimplotë të rezultateve të reformës, edhe përsa i përket financimit. Do ketë edhe një vlerë të madhe për të motivuar ekipin mjekësor, infermierët, ranimatorët, fizioterapistët që deri dje ishin komplet në mëshirë të fatit”, u shpreh Rama.

Top Channel