Bashkia e Tiranës përfundon projektin e rindërtimit të Pazarit të Ri

12/03/2017 00:00

308 tregtarë do të punësohen në Pazarin e Ri, që do të hapet në 14 mars, me rastin e Ditës së Verës.

Pazari i ri është konceptuar si një qendër e re tregtare, por edhe turzimi dhe argëtimi.

“Jam jashtëzakonisht entuziast sot për këtë mrekulli. Siç thotë ajo shprehja: duhet një fshat për të rritur një fëmijë, kurse për të lindur një projekt duhet bashkëpunim i jashtëzakonshëm. Nuk besoj se ka një histori suksesi në Shqipëri ku një fondacion perëndimor si AADF, së bashku me një autoritet vendor, me një kontraktor dhe dhjetëra nënkontraktorë, me qindra familje dhe banorë, të kenë gjetur gjuhën për këtë bashkëpunim. Do të thotë që kur ne shqiptarët vëmë mendjen e zemrën bashkë, mund të bëjmë gjëra të bukura dhe nuk qenka mision i pamundur të gjejmë gjuhën për gjëra të bukura”, tha Veliaj.

Në projektin e ri janë ruajtur karakteristikat e Tiranës së vjetër, të cilat janë ndërthurur me modernen: “Nga dita e martë, Tirana do të ketë një qytet të vjetër, një lagje historike, siç e ka çdo qytet tjetër, që përtej modernizimit dhe zhvillimit urban galopant që ka pësuar në vitet ‘90, të ketë mundësi që në zemër të qytetit të vet, në zemër të Tiranës, të ruajë atë që quhet pjesa historike, pjesa e vjetër”.

Veliaj ftoi qyetarët që në Ditën e Verës të vizitojnë atë që ai e konsideroi si “xhevahiri i 14 marsit”.

“Një mënyrë më e mirë për të festuar Ditën e Verës sesa në një vend ku do të shiten produkte lokale, ku do të punësohen njerëz të këtij qyteti, ku do të përjetësohet trashëgimia kulturore e urbanistike e Tiranës, nuk ka, ndaj dhe besoj që qytetarët do të jenë të shumtë. Ne do të fillojmë aktivitetet që në mëngjes, do të vijojmë pastaj në Bulevard, por besoj se “xhevahiri” i Ditës së Verës do të jetë hapja e Pazarit të Ri”, u shpreh Veliaj.

Top Channel