Një ditë pas zjarrit, mbetën pa kryefamiljarin dhe shtëpinë

11/03/2017 00:00

Në familjen Haki Hoxha në Shkodër janë hapur dyert e mortit. Një mort i pazakontë pasi përveç humbjes së kryefamiljarit, familja humbi dhe shtëpinë.

Zjarri i nisur nga një bombul gazi i mori jetën të moshuarit dhe shkrumboi banesën e dy familjeve. Miqtë janë drejtuar për ngushëllim në familjen Hoxha, e cila i ka pritur në një shtëpi pranë që shpëtoi pa u djegur. Bashkëshortja e viktimës, Hasije Hoxha tregon momentet e tmerrit se si flakët u përhapën me shpejtësi.

“Nxorra fëmijët jashtë, pastaj hyra brenda, desha të ngjitesha për të marrë burrin lartë, por shkallët kishin filluar të digjeshin. Pastaj shpërtheu sahati i murit. Zjarrfikësit kanë ardhur me vonesë, thanë se nuk e dinin ku ishte vendi. Të mos dish ku është lagjia ‘Vojo Kushi’”, shprehet Hasije Hoxha.

Momentin e frikshëm të djegies së banesës e rrëfen e vajza e shtëpisë. “Ka qenë duke pushuar i shkreit. Mami ka qenë poshtë duke u marrë me fëmijët e mi, u mundua të shpëtonte jetën e tij”, thotë Adile Hoxha.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka deklaruar në lidhje me këtë ngjarje se do të ndihmojë financiarisht familjen Hoxha, duke parë dhe mundësinë e rindërtimit të shtëpisë së djegur.

“Dua të falenderoj policinë dhe zjarrfikësit që kanë shkuar në vend dhe kanë rrezikuar jetën, duke shmangur një tragjedi edhe më të madhe, pasi, siç thonë dhe familjarët, flakët janë hapur me shpejtësi të menjëhershme”, ka thënë Ademi.

Top Channel