Ndryshimet e kabinetit Rama në 3 vite e gjysmë

11/03/2017 00:00

Nëse të hënën zyrtarizohen ndryshimet në Qeveri, ato ndoshta do të jenë më të rëndësishmet, por jo të parat të bëra nga Kryeministri Rama.

I fundit ishte largimi i Ylli Manjanit, ndërsa për të gjetur të parin duhet të kthehemi në 2014. Në gusht të atij viti, Ilirjan Celibashi dha dorëheqjen për arsye personale nga drejtimi i Ministrisë së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për t’i lënë vendin në këtë post Ermonela Felajt.

Pas Celibashit, ishte radha e Erion Veliajt. Ai u dorëhoq nga posti i ministrit të Mirëqenies Sociale për të garuar në zgjedhjet vendore për Bashkinë e Tiranës, post që e mban sot pas fitores ndaj rivalit të opozitës, Halim Kosova.

Për zëvendësimin e Veliajt qarkulluan disa emra, por në fund kjo ministri iu besua nga Kryeministri Edi Rama, Blendi Klosit.

Një vit pas këtij ndryshimi, ndodh një tjetër lëvizje, këtë herë në radhën e ministrave të aleatit kryesor të socialistëve në koalicion, LSI-së. Nasip Naço largohet nga posti i ministrit të Drejtësisë dhe i lë vendin Ylli Manjanit.

Disa muaj pas këtij ndryshimi, mbërrin një tjetër. Në shkurt të 2016 ai që largohet është Shkëlqim Cani. Ai pasohet në postin e ministrit të Financave nga Arben Ahmetaj dhe vendi i lënë bosh prej këtij të fundit në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Turizmit plotësohet nga Milva Ekonomi.

Në shtator të 2016 ai që largohet është Edmond Haxhinasto. Ministri i LSI-së në krye të Transporteve zëvendësohet nga Sokol Dervishaj, ndërsa 2017 nisi me një tjetër ndryshim.

Në fund të janarit, në ndryshim nga largimet e tjera, Ylli Manjani shkarkohet nga Kryeministri Edi Rama. Vendimi u mor pas një takimi mes kreut të ekzekutivit dhe Ilir Metës dhe në fund u ra dakort që Manjani të zëvendësohet nga Petrit Vasili.

Në total, në 3 vite e gjysmë janë gjashtë ndryshime në qeverinë Rama të ndara në mënyrë të barabartë mes dy aleatëve kryesorë qeverisës, tre nga ministrat e propozuar nga socialistët dhe tre nga ministrat e propozuar nga LSI.

Top Channel