Emigranti shqiptar mund qeverinë italiane në gjykatë

11/03/2017 00:00

Një çift shqiptar me banim në Bari të Italisë ka dalë fitues në gjykatë në një proces ndaj Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Ekonomisë.

Bashkëshortët patën kërkuar rimbursimin e taksës mbi lejeqëndrimet, një kontribut shtesë i vendosur në vitin 2011 nga qeveria e kryesuar nga Silvio Berlusconi.

Sipas llojit të lejeqëndrimit, për studim, punë apo bashkim familjar, çdo emigrant ishte i detyruar të paguante nga 80 deri në 200 euro.

Pas një sërë ankesash në seli kombëtare e ndërkombëtare, kjo taksë, e konsideruar e paligjshme nga Gjykata Europiane e Drjtësisë, u pezullua duke i hapur rrugë kërkesavë për rimbursim.

Çifti shqiptar i është drejtuar Gjykatës së Barit për të kërkuar kthimin taksës së paguar padrejtësisht. Ata kanë shpenzuar gjithësej 907 euro për këtë kontribut shtesë, i cili çdo herë shoqërohej me pullë-taksat, dërgesë postare e shpenzime të tjera.

Pas fitores së tyre, e dyta në Itali, bëhet më e lehtë rruga për qindra mijëra emigrantët që mund të kërkojnë rimbursimin.

Llogaritet që rreth 1 milion persona të kenë paguar dhe nëse të gjithë do të paraqesnin kërkesë për kthimin e taksës, shtetit italian do t’i duhej  të nxjirrte nga arka rreth 500 milionë euro.

Top Channel