Ekskluzive / Të hënën ndryshime “joteknike”

11/03/2017 00:00

Saimiri Tahiri tentoi të dukej i qetë të shtunën, kur pas takimit me Kryeministrin në zyrën e tij, iu drejtua një dreke me krerët e policisë.

Por ndërkohë, interesimit të Top Channel për dorëheqje në Qeveri përfshirë edhe ministrin e Brendshëm, për t’i ofruar një kompromis çadrës së protestës, burime pranë Kryeministrit Edi Rama iu përgjigjën se të hënën në Qeveri do të ketë ndryshime të rëndësishme, por këto ndryshime nuk çojnë në një qeveri teknike, përkundrazi drejt një kabineti edhe më shumë politik.

Por më shumë sesa kërcënimi i opozitës për mospjesëmarrje në zgjedhje me këtë Qeveri, duket se këto ndryshime po i sjell klima mes dy drejtuesve të koalicionit.

Ilir Meta, i përfolur si kandidati më i mundshëm për President i mazhorancës dhe politikani i së majtës me më shumë kontakte normale me opozitën e qendrës së djathtë, ishte i qartë të shtunën paradite, se për politikën kishte ardhur koha e vendimeve të mëdha.

“Është koha që ne politikanët shqiptarë të marrim vendime të rëndësishme sot bazuar në dashurinë për vendin e përgjegjshmërinë për të ardhmen e tij e jo bazuar në urrejtjen ndaj njëri-tjetrit dhe filozofinë e përjashtimit”, tha ai.

Një ditë më parë, në një intervistë televizive kreu i Kuvendit ishte shumë kritik indirekt ndaj opozitës dhe vendimeve të saj ultimative. Mesa duket dakordësia me Kryeministrin për të ndryshuar kabinetin me ministra që anatemohen nga opozita, si ministri Tahiri, është ajo që mund të konsiderrohet si shenja finale për Lulzim Bashën.

Por, në kohën që protesta e opozitës vazhdon, e bashkë me të edhe kërkesa e Lulzim Bashës për krijimin e një qeverie teknike si kusht që partitë opozitare të hyjnë në zgjedhjet e 18 qershorit, ajo çka mesa duket është e vërtetë, lidhet me formulimin e një përgjigjeje flakë për flakë për intensifikim të fushatës së socialistëve në terren.

Sipas të njëjtave burime, në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve me udhëheqësit e fushatës në çdo qark, Edi Rama ka lënë të kuptohet se është i pakënaqur me nivelin e mobilizimit të tyre dhe se kjo mund të çonte në lirimin nga detyra të ministrave që janë njëkohësisht drejtues politikë në qarqe, për t’u fokusuar me kohë të plotë në angazhimin elektoral.

Aktualisht i gjithë kabineti qeveritar është i shpërndarë në territor dhe secili prej ministrave mbulon qarqe të rëndësishme.

Burime nga Partia Socialiste thonë se këto ndryshime jo vetëm nuk do të çojnë në një qeveri teknike pa Edi Ramën, por e kanë bindur edhe Edi Ramën të ekzekutojë planin e tij final. PS hyn para kohe në fazën finale të fushatës, duke rritur praninë e drejtuesve politikë në çdo qark si edhe duke përfshirë të tjera figura politike në kabinetin qeveritar.

Top Channel