Dade: Numra kemi, jo konsensus. Opozita t’i thërrasë logjikës

11/03/2017 00:00

Kryetarja e komsionit të jashtëm Arta Dade e konsideron protestën e opozitës në çadër të papërligjur, që synon krizë artificiale për të shpëtuar ata që duhet të shkojne para drejtësisë.

“Opozita ka shkuar më larg me një aksion të ashtuquajtur politik që është vetëm për të shpëtuar ata që duhet të shkojnë para drejtësisë, pra, me pengesën që po i bëhet reformës së drejtësisë dhe kryesisht procesit të vetingut”, tha Dade.

Dade thekson se opozita po abuzon me hapësirën e përfaqësimit në komisionet e vetingut, ndërsa mazhoranca edhe pse i ka numrat mendon se do ishte mirë të bëhen me konsensus.

“Parlamenti funksionon, mazhoranca funksionon, madje ka një shumicë të cilësuar parlamentare për të përfunduar ato ligje të cilat sigurisht do të ishte mirë që të bëhen me konsensus dhe me praninë e opozitës. Hapësira për opozitën është më e madhe sesa rezultati që ata kanë në Parlament.  Shpresoj t’i thërrasin logjikës”, është shprehur Dade.

Ish ministrja e Jashtme ndërsa e paralelizon sulmin ndaj ambasadores Vllahutin me atë që iu bë ish ambasadores amerikane Mariza Lino në ‘97,  ka edhe disa këshilla për kryetarin Basha dhe të huajt që kane folur në ccadrën e opozitës.

“Ata nuk mund të kapen si i mbyturi pas kashtës pas ndonje emri që i kanë të formacioneve të tyre idelogjiko-politike, por mënyra sesi po atakohen përfaqësuesit e institucioneve më të larta me kujton krizën e ‘97 kur ishte vënë në fokus ish ambasadorja amerikane Mariza Lino për atë masakër që këta bënë me piramidat dhe zgjedhjet dhe që pas tyre ka një emër. Brezi i ri i politikës të ngrihet mbi diktatet dhe të rikthet logjikës sepse për Lulzim Bashën do të ishte humbja e 3-të rradhazi”, deklaron Dade.

Top Channel