Basha: Tahiri, fitore e qytetarëve; por qeveria teknike s’diskutohet

11/03/2017 00:00

Lulzim Basha komentoi lajmet për ndryshimet e pritshme të qeverisë ditën e hënë, duke i quajtur përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë nga ana e qeverisë.

“Çfarëdo thashethemesh e prapaskenash do të vijnë, mesazhi ynë është një dhe i pandryshueshëm: qëndresa jonë është e vendosur deri në krijimin e qeverisë teknike. Lajmi për shkarkimin e Tahirit është një truk, një tjetër proçkë e këtyre 4 vjetëve, një përpjekje mjerane për t’i shpëtuar përgjegjësisë që Edi Rama ka për gjendjen ku e ka sjellë vendin”, deklaroi Basha.

Për kreun e opozitës, largimi i mundshëm i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri është një fitore e protesuesve.

“Nëse lajmi është i vërtetë, kjo është një fitore vetëm e juaja, e bashkimit qytetar dhe prova e qartë se forca e vetme e ndryshimit në këtë vend është bashkimi qytetar dhe kjo lëvizje popullore”, tha Basha para të pranishëmve.

Por opozita nuk tërhiqet nga protesta, ajo do vazhdoje, tha Basha, deri në krijimin e qeverisë teknike.

Top Channel