Shkodër, zjarri përfshin banesën dykatëshe; shkrumbohet 74-vjeçari

10/03/2017 00:00

Një zjarr masiv ka përfshirë pasditen e sotme një banesë dykatëshe në lagjen “Vojo Kushi” të Shkodrës, në të cilën jetonin dy familje.

Bëhet fjalë për familjet e vëllezërve Ryzhdi dhe Haki Hoxha. Disa prej banorëve kanë arritur të dalin nga shtëpia, ndërsa njëri prej tyre ka mbetur brenda.

Me të marrë informacionin drejt vendit të ngjarjes janë nisur forcat e policisë që kanë bërë rrethimin e zonës, si dhe zjarrfikësit, të cilët po punojnë për të shpëtuar Haki Hoxhën, i cili ka mbetur i bllokuar në shtëpi.

Përpjekjet e shumta janë penguar nga flakët agresive që kanë vështirësuar hyrjen në shtëpi dhe trupi i Hoxhës, 74 vjeç, është gjetur i shkrumbuar rreth 2 orë nga rënia e zjarrit.

Zjarri masiv ka rrezikuar edhe banesa të tjera, ndërsa ka krijuar panik tek banorët e zonës, të cilët i janë bashkuar policisë dhe zjarrfikësve në operacionet për të izoluar flakët.

Top Channel