Presidenti Nishani uron Donald Tuskun për rizgjedhjen si President i KE

10/03/2017 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uroi zotin Donald Tusk me rastin e rizgjedhjes në postin e lartë të Presidentit të Këshillit Evropian.

“Rizgjedhja juaj për një mandat të dytë si President i Këshillit Evropian si dhe riemërimi si President i Euro Samitit, më jep edhe njëherë rastin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju përcjell urimet më të mira e të sinqerta për vijimin e përmbushjen me sukses të angazhimeve përkatëse. Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që i keni dhënë procesit të integrimit evropian për vendin tim dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ashtu siç e kam theksuar edhe në takimet e veçanta me ju, integrimi evropian mbetet alternativa e vetme dhe projekti më madhor i shqiptarëve, ndaj dhe ju siguroj se jemi të vendosur për të vijuar përpara në këtë drejtim, si në aspektin e reformave të brendshme ashtu edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal”, lexohet në mesazhin e Presidentit.

Kreu i shtetit shprehu gjithashtu bindjen se “Bashkimi Evropian dhe institucionet e saj, do të vijojnë të kenë vëmendje domethënëse për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Me gjithë përparimin thelbësor dhe raportet e reja pozitive ndërshtetërore, rajoni i Ballkanit Perëndimor, ka ende nevojë për një vëmendje dhe mbështetje më të qenësishme nga të gjitha strukturat e BE-së”, shton Nishani në mesazhin e tij.

Top Channel