Opozita letër KQZ: Nuk regjistrohemi pa qeveri teknike

10/03/2017 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është njoftuar zyrtarisht se asnjë prej partive të opozitës nuk do të regjistrohet në zgjedhje, deri në arritjen e marrëveshjes politike që siguron zgjedhje të lira e të ndershme.

“Partitë e koalicionit opozitar kanë zyrtarizuar sot vendimin se nuk do të lejojnë në Shqipëri zgjedhje fasadë, zgjedhje të kapura nga krimi dhe paratë e drogës. Me një kërkesë zyrtare dërguar KQZ-së, partitë e koalicionit opozitar kanë vënë në dijeni se nuk do të paraqesin kërkesë për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore, dhe as si koalicion zgjedhor, deri në arritjen e marrëveshjes politike që siguron zgjedhje të lira e të ndershme, vetëm me një qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike, që do të sigurojë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, luftën efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës, si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Partia Demokratike.

Por Lulzim Basha nuk e quan bojkot këtë akt në ditën e fundit të afatit për regjistrimin në zgjedhje.

“Kush i fryn borive të bojkotit, gabohet rëndë. Nuk do të ketë bojkot, do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme ë lira nga krimi, të lira nga droga, të lira nga paratë e korrupsionit”, tha Basha.

Kur bëhen tre javë nga protesta pa ndalim e opozitës përpara Kryeministrisë, kërkesa e saj mbetet e pandryshuar.

“Asnjë tërheqje nuk ka e nuk mund të ketë sepse çdo tërheqje do të ishte tradhti. Dhe zgjidhja është një: Qeveri teknike, largimi i Edi Ramës dhe kabinetit të turpit, kabinetit të krimit, kabinetit të drogës”, tha Basha.

Top Channel