Kushtetuesja, e mangët; tre anëtarëve iu ka përfunduar mandati

10/03/2017 00:00

Gjykata Kushtetuese po funksionon me 8 nga 9 anëtarë, sepse njëri prej tyre, Sokol Berberi, ka dhënë dorëheqjen pas mbarimit të mandatit. Por ai nuk është i vetmi të cilit i ka mbaruar mandati.

Gjykata Kushtetuese ka deklaruar të premten mbarimin e mandatit të anëtares Vitore Tusha. Bashkë me mbarimin e mandatit në prill të Vladimir Kristos, një e treta e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë me mandat të përfunduar.

Sipas ligjit të ri, pjesë e reformës në drejtësi, ata duhet të zëvendësohen një nga Presidenti, një nga Parlamenti dhe një nga Gjykata e Lartë.

Por sipas përcaktimeve të reja të reformës në drejtësi, renditja e kanddiatëve për secilin institucion duhet të bëhet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Ky është organi i vetëm i ngritur deri tani pas miratimit të 7 ligjeve të reformës, por edhe ai ende nuk është bërë funksional pas akuzave të ambasadorit amerikan për emërimin e përfaqësuesve të prokurorisë dhe të dorëheqjes së kryetares së Këshillit, Mirela Fana.

Top Channel