Kush e pengon reformën? DW, analizon situatën parazgjedhore

10/03/2017 00:00

Situata para-zgjedhore në Shqipërinë e ndodhur shumë pranë çeljes së negociatave të anëtarësimit me BE-në, ka tërhequr vëmendjen e disa mediave të huaja, të cilat kërkojnë të zbërthejnë arsyet e antagonizmit që rrezikon të mbajë peng tentativat e aderimit.

Më e fundit e atyre që i kushtojnë vëmendje betejës për reformën në drejtësi dhe protestave të opozitës, është “Deutsche Welle”.

Nathan Morley ka qëndruar në Tiranë për të parë nga afër zhvillimet e këtyre ditëve. Demonstruesit e mbledhur përpara zyrave të kryeministrit kërkojnë dorëheqjen e tij, thotë reporteri, qeverinë e të cilit e akuzojnë për krijimin e varfërisë dhe nxitjen e korrupsionit në vend.

Përplasja mes qeverisë dhe opozitës është tani aq serioze, vazhdon ai, sa çdo shpresë për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në BE, po venitet. Dhe kjo sepse përpara se Tirana të çelë negociatat e anëtarësimit, ajo duhet të godasë korrupsionin, të reformojë administratën publike, e të ndreqë sistemin e korruptuar të drejtësisë.

Por rishikimi rrënjësor i gjyqësorit, çka përfshin edhe vettingun e gjyqtarëve, ka ngecur për shkak të Partisë Demokratike, e cila është duke bojkotuar Parlamentin. Lulzim Basha i tha Morleyt se krimi dhe drogat janë përhapur si kurrë më parë.

Ky është problem i Shqipërisë, thotë ai, është problem i rajonit, është problem i Gjermanisë. Partia Demokratike e votoi reformën kushtetuese për drejtësi. Nuk po e bllokojmë ne, shprehet ai.

“Ne duam që vettingu të bëhet, por të bëhet në bazë të Kushtetutës”. Vettingu i gjyqtarëve, shpjegon korrespondenti, është rrjedhojë e mungesës së besimit tek establishmentin ligjor.

Vëzhguesit argumentojnë se ndryshimet janë jetike për të siguruar besim dhe investime nga jashtë. Çdo investues i jashtëm, vazhdon ai duke cituar drejtuesen e shoqatës së investitorëve të huaj, Marinela Jazo, kërkon një sistem të pastër gjyqësor dhe vonesat aktuale, nuk ndihmojnë aspak.

Pjesë e rëndësishme e betejës është të ruhet kursi i reformave, por Vasilika Hysi i tha gazetarit të DË se me bojkotin e opozitës, pak po bëhet aktualisht. Bojkoti ka sjellë mjaft probleme, verën ajo sepse marsi është muaj goxha i ngjeshur dhe kemi shumë punë për të bërë në Parlament.

Top Channel