Bushati: BE e thotë troç, integrimi varet nga reforma në drejtësi

10/03/2017 00:00

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati përmes një statusi në Facebook ka mirëpritur rikonfirmimin e KE për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Këshilli Europian rikonfirmon qartazi perspektivën europiane të rajonit tonë dhe thekson rëndësinë e përparimit në rrugën e reformave. Mirëpresim fokusin ndaj Ballkanit Perëndimor si një rajon jetik për BE-në dhe sigurinë kolektive dhe vëmendjen e përqëndruar të shteteve anëtare, që evidenton vlerën e shtuar të rajonit për familjen europiane” shkruan Bushati.

Po sipas tij theksi vihet tek vazhdimi me vendosmëri i reformave, duke kërkuar nga opozita që të heqë dorë nga çadra e t’i hapet rruga jetësimit të një reforme thelbësore për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

“BE po e thotë çdo ditë troç se hapi i ardhshëm i Shqipërisë – hapja e negociatave – varet nga zbatimi i reformës së sistemit të drejtësisë, në veçanti zbatimi i procesit të vettingut. Është koha që të hiqet dorë nga loja me lufta nga çadra e t’i hapet rruga jetësimit të një reforme thelbësore për demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, shkruan ndër të tjera Bushati.

Statusin e tij Bushati e mbyll me kërkesën për të krijuar sa më parë organet e vettingut, çka do të t’i jepte edhe një sinjal partnerëve për vullnetin për të vendosur sundimin e ligjit në vend.

“Krijimi i organeve të vettingut nga Kuvendi do t’i jepte një sinjal të qartë partnerëve tanë europiane mbi vullnetin tonë për të vendosur sundimin e ligjit në vend. Interesi kombëtar e bën edhe më urgjente këtë hap në këtë kohë të trazuar në rajon. #PunëJoBroçkulla”, shkruan Bushati.

Top Channel