Ballkani i rrezikuar, liderët e BE: Shqetësim për ndikimet ruse

10/03/2017 00:00

Liderët e Bashkimit Europian kanë shprehur shqetësimin e tyre nga “ndikimet e jashtme”, që po shkaktojnë përçarje në shtetet e Ballkanit Perendimor, duke e lidhur situatën me lëvizjet e fundit të Rusisë dhe aleatëve të saj në rajon për të bllokuar lidhjet e ngushta me Perëndimin.

“Do t’i bëj të qarta shqetësimet e mia për destabilizimin e mundshëm të rajonit dhe për rrezikun që përfaqëson ai ndaj sigurisë tonë të përbashkët. Pas dyshimeve të një komploti  për grusht shteti në Malin e Zi, theksoj se duhet bërë më shumë për të luftuar destabilizimin e rajonit nga fushatat dezinformuese ruse dhe po kështu duhet të rritet dukshëm angazhimi i Perëndimit në Ballkan”, deklaroi Kryeministrja britanike, Theresa May.

Edhe kreu i Këshillit të BE-së, Donald Tusk foli për “tensione dhe përçarje” në rajon, të cilat “përmes një influence të pashëndetshme, siç e quajti ai,  kanë dalë jashtë kontrollit.

E ngarkuara e BE-së me politikën e Jashtme, Federica Mogherini, që vizitoi Ballkanin së fundmi, paralajmëroi mbi rrezikun e kthimit të tij në “një fushë shahu të lojërave të fuqive të mëdha”.

Krerët e vendeve të qeverive të BE-se janë konsultuar të enjten në mbrëmje për gjendjen në rajon, ku katër vende janë kandidate për anëtarësim: Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi.

Por procesi i integrimit duket i vështirë, ndërsa është përhapur zhgënjimi për mungesën e rezultateve konkrete në jetën e përditshme të njerëzve. Fokusi tek Ballkani këtë herë tingëllon më shumë si përsëritje e premtimit për paqe përmes perspektivës europiane dhe si një sinjal që BE nuk e harron rajonin.

Top Channel