Një shqiptare mes 10 grave më të shquara të Skocisë në 2017

09/03/2017 00:00

Në mesin e “10 Grave të Shquara të Skocisë” për vitin 2017 është edhe aktivistja e njohur Remzije Sherifi, një shqiptare nga Kosova.

Remzije Sherifi është nga Gjilani dhe ka shkuar në Skoci në vitin 1999, kur u evakuua nga një kamp në Maqedoni. Deri në vitin 1992, kur u përjashtua nga puna, Remzija ka punuar si gazetare dhe producente në radio.
 
Në Skoci ajo ka pasur sukses duke e udhëhequr shoqatën “Maryhill Integration Network”, që merret me zbatimin e programeve që kanë të bëjnë me shëndetin, arsimin, artin dhe vallëzimin e që kanë për qëllim afrimin e komuniteteve.

Në mesin e grave të zgjedhura për këtë vit është Myrtle Simpson, eksploruese e Arktikut; baronesha dhe profesoresha e kriminalistikes Sue Black, e cila në 1999 ka drejtuar ekipin e mjekëve të kriminalistikës që kanë bërë identifikimin e viktimave në konfliktin në Kosovë, kritikja e teatrit, Joyce McMillan dhe këngëtarja Horse McDonald.

Personalitetet e shquara për vitin e kaluar kanë qenë shkrimtarja me famë botërore JK Rowling, këngëtarja Annie Lenox, gruaja e ish-kryeministrit britanik Gordon Brown, Sara Brown, kurse për vitin 2015 në mesin e të zgjedhurve ka qenë edhe Nicola Sturgeon, politikane e njohur britanike dhe Ministrja e Parë e Skocisë.
 
Ky është suksesi i dytë i madh  i shqiptares Remzije Sherifi, pasi në vitin 2013 ajo është vlerësuar me një tjetër çmim të madh si “Gruaja Emigrante e Vitit në Britani”, e pasuar nga një tjetër shqipare e suksesshme, Luljeta Nuzi, drejtuese e shoqatës së komunitetit shqiptar në Londër “Shpresa Programme”, e nderuar me çmimin “Shqiponja e Artë” në Samitin e Diasporës në Tiranë.

Top Channel