“8 Marsi”, udhëtime turistike dhe dreka luksoze për gratë

09/03/2017 00:00

Institucionet shtetërore u vunë në “garë” për “8 Marsin”, duke organizuar udhëtime turistike dhe dreka luksoze për punonjëset e tyre. Emisioni “Fiks Fare” bëri një vëzhgim të thjeshtë në Agjencinë e Prokurimit Publik.

Kështu, Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Fier hapi një tender për festën e “8 Marsit”, me vlerë 1400 mijë lekë për 84 persona. Në meny ka biftek viçi, mish qingji, fileto viçi pepe-verde dhe pije pa limit.

Ndërkohë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës bëri një aktivitet për 300 persona, ku kokteji kishte në meny fileto stil “Florentine”, foleza orizi, torteza kapreze me qershi etj. Lokali duhet të kishte tavolina të larta, servis me gota qelqi apo edhe kosha për plehrat.

Nga ana tjetër, filiali i Postës së Durrës akordoi 118 mijë lekë. Menyja kishte antipaste me role viçi, role pule, biftek me patate, ëmbëlsirë. Lokali duhet të kishte edhe DJ.

Ndërkohë, Filiali i Postës, Qendra Tranzite, akordoi 205 mijë lekë për festën e “8 Marsit”, për 82 persona në Pogradec. Operatori duhet të siguronte transportin vajte-ardhje në Pogradec dhe vizitë në Shën Naum (Maqedoni). Hoteli ishte me 4 yje, dhomat teke dhe dyshe. Menyja përmbante pene me salmon të tymosur me salcë rozë, tris mishi, makarona të freskëta me kërpudha pylli me salcë pesto dhe djath të grirë, karcof i mbushur me krem panxhari dhe djath të stazhionuar, fletë kungulli me arra të pjekura dhe rikota. Pijet janë pa limit, ndërsa në darkën festive duhet të jetë e përfshirë muzika me DJ ose live.
Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Lezhë akordoi 66 666 lekë për aktivitetin social kulturor të “8 Marsit”, ku menyja kishte mesore si pjatë të parë, gic, kec ose peshk sipas dëshirës për pjatë të dytë. Ndërkohë, kishte ëmbëlsira dhe pije pa limit. Në këtë rast, lokali kishte muzikë live.

Bashkia e Korçës shpenzoi 131 mijë lekë për këtë aktivitet, me pjesëmarrjen e 63 personave. Darka filloi në orën 17.00 dhe mbaroi më 22. Kishte dy meny, një ushqimi dhe një për pije. Për ushqim kishte sallatë miks, antipastë me djathra, tre lloj salcash, kanelonja dhe shnicel të vegjël pule me pana dhe kërpudhë. Pjata kryesore kishte fileto viçi me rukola dhe fistiqe, spageti të shuara në verë si dhe karkaleca deti “FLABE”. Edhe në këtë rast, nuk mungoi muzika me DJ dhe me orkestër.

Filiali i Postës në Elbasan akordoi 195 mijë lekë për drekën festive. Në pjatën e parë kishte romstek, djath, patatë e vezë të zier. Në pjatën e dytë kishte bërxollë dhe patate, ndërsa pjata e tretë rizoto me mish gjel deti, ku secila punonjëse kishte nga 300 gramë. Pijet ishin pa limit, ndërsa e veçanta ishte se DJ duhet që të njihte këngët e Shqipërisë së Mesme.

Ndërkohë, Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore e Tiranës akordoi 374 mijë lekë për drekën e punës për “8 Marsin”. Përpos menysë, ky institucion i kushtoi rëndësi muzikës live, e cila ishte një nga kushtet për lokalin.

Por, institucioni më dorëlëshuar ka qenë Autoriteti Portual në Durrës, i cili ka organizuar një udhëtim turistik për punonjëset e tij. Janë akorduar plot 18 milionë lekë të vjetra, ku punonjëset do të qëndrojnë tre ditë në Beograd, nga 9 marsi deri më 11 mars.

Top Channel