Lu takon Bashën, bisedë kokë më kokë

08/03/2017 00:00

Ambasadori amerikan ka përfituar nga koha që Parlamenti i dha procesit të vettingut për të rinisur bisedimet me opozitën.

Donald Lu e takoi Lulzim Bashën në një takim informal pune në një restorant në zonën e ish-Bllokut dhe besohet se reforma në drejtesi duhet të ketë qenë në qendër të bisedës së tyre.

Opozita ka deklaruar se nuk do të kthehet në Parlament as për të votuar ngritjen e organeve të vettingut deri kur të përmbushet kërkesa e saj për një qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike për zgjedhjet.

Pozicioni i opozitës do të mësohet pasdite, pas një takimi të kreut demokrat Basha me drejtuesit e koalicionit opozitar.

Kërkesën për qeveri teknike kreu i opozites ia bëri të ditur edhe misionit të OSBE/ODIHR-it, i cili është në Tiranë për të analizuar situatën parazgjedhore.

Basha tha se zgjedhjet janë në rrezik nga paratë e drogës që ka mbuluar vendin dhe nga bashkëqeverisja e Ramës me kriminelët.

Kreu i opozitës akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për anshmëri duke i bërë rezistencë ligjit të dekriminalizimit për të mbrojtur lidhjet e Kryeministrit me krimin.

Zoti Basha i tha misionit monitorues për zgjedhjet se edhe Kolegji Zgjedhor është një institucion nën presion për shkak të kërcënimeve të gjyqësorit nga Qeveria.

Sipas kreut të opozitës, zgjedhjet në Shqipëri mund të garantohet vetëm nga një qeveri teknike, do të fokusohet në zbatimin e dekriminalizimit, në luftën kundër drogës, krimit dhe parave të trafikut të paligjshëm.

Top Channel