Basha me gratë, kritikon modelin e Ramës: Bëri deputetë dhunuesit

08/03/2017 00:00

Pasi ka dëgjuar një seri rrëfimesh tronditëse nga gratë e mbledhura në çadrën e protestës, kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se pavarësisht vuajtjeve dhe persekutimeve, gratë janë kthyer në model të qëndresës për drejtësi dhe dinjitet.

Në fjalën e tij në takimin e pasdites, Basha ka kritikuar modelin social të ndjekur nga kryeministri Rama, i cili sipas tij përfaqëson të kundërtën e vlerave humane dhe familjare.

“Edi Rama, me sjelljen e tij dhe pasojat e rënda ndaj grave shqiptare përfaqëson vetëm modelin e krimit, modelin e drogës, modelin e trafikantëve që i bëri deputetë dhe kryetarë bashkish”, tha Basha.

Për Bashën, dhuna që ushtrohet ndaj grave do të marrë fund. Ai siguroi se lëvizja popullore që ka nisur opozita nuk do të ndalet deri në fitore, deri në garantimin e votës së lirë e të ndershme.

“Sot, Shqipëria gjendet para një udhëkryqi me pikëpyetje të mëdha. Kriminelët, trafikantët e drogës, që morën për veshi kandidatët për kryetarë bashkish në vitin 2015 e deri në zgjedhjet e pjesëshme të Dibrës në vitin 2016, e kanë treguar fare mirë se çfarë ndjejnë dhe se çfarë respekti kanë për qytetarët shqiptarë në tërësi dhe për gratë në veçanti. Me dhjetra e qindra dëshmi gjatë proceseve zgjedhore faktuan dhunën verbale, kërcënimet me jetë dhe dhunën fizike të këtyre horrave të veshur me pushtet ndaj grave në zonat elektorale. Ky është realiteti i krimit të lidhur me pushtetin dhe pushtetit që mbështetet tek krimi. Përsëri krimi i bërë njësh me pushtetin kërcënon të drejtat tona themelore”, tha Basha.

Top Channel