Xhafaj: Vonesa e vettingut, pasoja fatale. Procesi do vijojë në Kuvend

07/03/2017 00:00

Kryetari i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj ka deklaruar këtë të martë se, vonesat në miratimin e ligjit të vettingut mund të kenë pasoja fatale për drejtësinë.

“Nëse procesi i vettingut nuk kryhet në kohë do të krijonte pasoja direkte në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, KLGJ dhe KLP, pasi këto institucione kanë një afat të limituar nga Kushtetuta. Prandaj është i rëndësishëm vettingu. Por unë besoj se do të bëhet në kohë”, ka thënë Xhafaj.

Xhafaj nuk dha një zgjidhje konkrete që do të ndjekë mazhoranca e majtë nëse edhe në seancën e ardhshme të posaçme për vettingun opozita nuk paraqet tre anëtarët e saj për komisionin e parë, atë të verifikimit.

“Pas këtij procesi vazhdohet me hapat që i përkasin Kuvendit, sipas Kushtetutës dhe ligjit dhe në këtë moment nuk mund të ketë kthim prapa, por procesi do vazhdojë përpara siç e parashikon Kushtetuta dhe ligji”, tha Xhafaj.

Kthimin për shqyrtim të dosjeve tek Avokati i Popullit dhe rihapjen e garës për kandidaturat për organet e vettingut, Xhafaj e cilësoi një proces administrativ.

Nga ana tjetër, ai nuk harroi t’i kujtojë demokratëve se kanë votuar aneksin e Kushtetutës që parashikon vettingun dhe faktin se kanë detyrime ndaj Kushtetutës së re.

“Nuk mund të negociohet zbatimi i Kushtetutës as brenda mazhorancës, as brenda opozitës dhe as mes mazhorancës dhe opozitës”, shtoi Xhafaj.

Top Channel