Tahiri: Ata që i fshihen drejtësisë janë në çadër

07/03/2017 00:00

Ministri Saimir Tahiri dhe deputeti socialist Pandeli Majko zhvilluan një takim me të rinjtë që do të votojnë për herë të parë në 18 qershor. Në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën, Tahiri u ndal tek akuzat që, sipas tij, bëhen pa asnjë bazë, por edhe tek domosdoshmëria e reformës në Drejtësi.

“Sot në Shqipëri ndodh që të jesh një polic dhe të marrësh një 5 mijë leksh rryshfet, ndodh që ikën nga puna, madje futesh edhe në burg, të jesh gjyqtar, të marrësh toka, apartamente, pasuri, para, as ikën nga puna, as futesh në burg, madje vazhdon punën”, tha ai.

Tahiri dhe Majko dhanë mesazhe edhe për çadrën e opozitës në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Sipas tyre, alternative më e mirë është Partia Socialiste, pavarësisht gabimeve që mund të ketë bërë gjatë qeverisjes.

“Prej vitesh dhe përballë gjithë qytetarëve që janë rropatur dyerve të gjykatave prej vitesh, atyre që i kanë shpëtuar drejtësisë, apo atyre që i fshihen ende sot poshtë çadrës, për shkak të gjyqtarit të korruptuar, ne zgjedhim popullin, nuk zgjedhim këta”, deklaroi Saimir Tahiri.

“Në Shqipëri nuk ka marrë ndonjëherë ndonjë parti politike pushtet me çadër. Pushteti fitohet vetëm me votën e popullit shqiptar. Rruga e Partisë Socialiste ka treguar dhe do të tregojë se pavarësisht gabimeve që ka bërë, ajo mbetet alternativa më e mirë sot për Shqipërinë dhe shqiptarët”, deklaroi deputeti Pandeli Majko.

Top Channel