Lufta ndaj hashashit, Tahiri kërkon ndihmën e Italisë

07/03/2017 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i kërkoi Guardia di Finanza-s ta ndihmojë policinë shqiptare me fluturime nga ajri më herët se vitet e tjera. Gjatë një takimi në Tiranë me kreun e Guardia di Finanza-s, Tahiri kërkoi bashkëpunimin me italianët.

“Ne do të bëjmë maksimumin. Kemi nisur shumë më herët punën e policisë për kontrollin e territorit dhe parandalimin. Kam kërkuar dhe shpresoj të biem dakord për të nisur akoma më herët edhe fluturimet e Guardia di Finanza. E ritheksova. Kur të gjithë nuk besonin që Lazarati mund të zhdukej nga Shqipëria, ne besonim dhe e arritëm.  Kur të gjithë ju me të drejtë mund të keni dyshimin e ligjshëm se kultivimi 20 vjeçar i kanabisit në të gjithë Shqipërinë nuk mund të mbyllet, kini besim që do e bëjmë siç kemi bërë të tjerat do të bëjmë edhe këtë. Do ja dalim që këtë vit ta mbyllim këtë fenomen”, tha ministri Tahiri.

Giorgio Toschi, komandanti i Përgjithshëm i Guarda di Finanzia-s bëri vlerësime për punën e policisë shqiptare.

“Duke konsideruar këto rezultate shumë shumë inkurajuese dhe brilante të shërbimit, pas kthimit tonë në Komandën e Përgjithshme në Itali, do të nisim me bashkëpunëtorët e mi shqyrtimin e menjëhershëm të kërkesës që na drejtoi Ministri i Punëve të Brendshme, për të paraprirë sa më shumë të jetë e mundur (që prej fundit të muajit Prill, maksimumi fillim Maji) aktivitetin e fluturimeve monitoruese, për të kryer më herët se vitet e kaluara këtë kontroll ajror për të identifikuar parcela të mundshme në disa zona, të vendit tuaj të mrekullueshëm. Pikërisht me synimin për të parandaluar akoma më shumë dhe akoma më mirë lulëzimin e këtyre bimëve, të cilat prodhojnë këtë lëndë të paligjshme”, tha Giorgio Toschi komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanzia-s.

Top Channel