Kampion dhe model

07/03/2017 00:00

“Unë nuk i arrita këto rezultate këtë javë. Gjithmonë kam punuar, por jam këtu vetëm falë familjes time, trajnerit dhe federatës që më kanë ndihmuar”.

Është i qartë në dedikimin e këtij rezultati kampioni i ri i Europës në kërcim së gjati, Izmir Smajlaj, i cili në sajë të kushteve shumë të vështira të stërvitjes, edhe pse herë pas here me ndihmën e federatës ka shkuar jashtë, ka qenë gati për ta lënë këtë sport. Një disiplinë jo shumë masive, por që trajneri i tij Vildan Tufi tregon e si e ka zbuluar rastësisht.

“Izmiri e ka filluar karrierën qysh 9 vjeç. E pashë një fëmijë të vogël që po vraponte dhe e thërrita të bënte një kërcim. Në atë moshë që ishte ai kërceu mbi 3 metra”, kujton trajneri.

Ndërkohë, që nga fillimet e tij e deri në ditën kur u shpall kampion Europe, Izmiri thjesht e ka parë që kushtet e stërvitjes janë përkeqësuar. “Vjet jam stërvitur në pedonale. Vrapin e bëj në beton”, thotë atleti.

Diçka e pabesueshme kur mendon që po flasim për një kampion Europe, titull që ia mori një sportisti nga Suedia dhe një ukrainasi: “Gjysma e tyre stërviten në Amerikë. Kur ia tregova se ku stërvitem, më thanë se është e pamundur dhe filluan të qeshin”.

Trajneri i tij ViIdan Tufi, përveçse thekson se potenciali i Izmirit është një dhuratë nga Zoti, konfirmon edhe një herë një karakter jo të qëndrueshëm të sportisti të tij, i cili nuk ka qenë gjithmonë i dashuruar me atletikën.

“Puna e trajnerit është shumë e rëndësishme sepse shumë herë Izmiri më ka thënë po kaloj tek volejbolli, tek futbollit… Por, sportet individuale kanë të bukurën e tyre sepse i pari mbetet i pari”, thotë Tufi.

Megjithatë, titulli i fundit i ka dhënë një famë shumë të madhe, të cilën Izmiri nuk po arrin ta përballojë as në rrjetet sociale, ku mesazhet e urimit kanë qenë me qindra. Mes tyre, nuk ka munguar as ai i De Biazit, i cili e uron në shqip, apo i shumë vajzave për një sportist që paralelisht me atletikën është marrë edhe me modeling.

“Nuk është se kam qenë model. Shkova në Kinë për tu stërvitur për 6 muaj dhe aty u mora ca kohë me modeling. Për të kaluar kohën, ishte një eksperiencë shumë e bukur“, tregon Izmiri.

Ndërkohë, sa i përket shtetit dhe mbështetjes ndaj tij, Izmiri për momentin preferon të presë përpara se të flasë: “Nuk kam qejf t’i përgjigjem kësaj pyetje“.

Top Channel