Zgjedhjet 2017, Borchardt: Gratë kandidate, në numër të pamjaftueshëm

06/03/2017 00:00

Numri i kandidateve gra në lista për zgjedhjet parlamentare është ende i pamjaftueshëm është shprehur përfaqësuesi i OSBE në Shqipëri Bernd Borchardt, në konferencën “Rezoluta 1325: Gratë, paqja dhe siguria në Shqipëri”

“Zgjedhjet e 2017-s po afrojnë dhe dua të them edhe diçka të fundit: pavarësisht prirjes pozitive vitet e fundit në Shqipëri, numri i kandidateve gra në listat e partive është ende i pamjaftueshëm. Ndonëse nga pikëpamja ligjore, kjo gjë kërkon ndryshime shumë të vogla në Kodin Zgjedhor, duhet vullnet politik që të ndodhë”, është shprehur kreu i OSBE në Tiranë.

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka një Plan Kombëtar të Veprimit për gratë, tha ai. Borchardt i bëri thirrje institucioneve shtetërore që t’i bashkërendojnë dhe t’i institucionalizojnë përpjekjet për këtë plan veprimi.

“Me gjithë ndryshimet, Shqipëria, fatkeqësisht, është i vetmi vend në rajon që nuk ka një Plan Kombëtar Veprimi për Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Forcimi i rolit udhëheqës të grave kërkon përkushtim të vërtetë. Qeveritë qendrore duhet të akordojnë burime për zbatimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë. Shqipëria ka shënuar përparim të konsiderueshëm, por, ekzistenca e një Plani Veprimi për Rezolutën 1325 i krijon mundësinë shtetit dhe shoqërisë civile që t’u kthehen rezultateve të arritura vitet e fundit në fuqizimin e mëtejshëm të grave e të reflektojnë mbi to. Për shembull, strategjia e re kundër dhunës me bazë gjinore, ligji për dhunën në familje, rritja e përfaqësueseve gra në qeveri, parlament dhe në qeverinë vendore, si dhe emërimi i një gjeneraleje në Forcat e Armatosura Shqiptare janë që të gjithë tregues të qartë të përkushtimit në këtë drejtim”, është shprehur Borchardt.

Top Channel