Grabitja në aeroport, në gjyq punonjësit që “lejuan” vjedhjen

06/03/2017 00:00

Pasi kanë zgjidhur konfliktin e kompetencave se kush duhet t’i gjykojë pesë të pandehurit për shpërdorim detyre, Gjykata e Krujës çeli procesin për dosjen e grabitjes së Rinasit.

Pesë të pandehurit  që gjykohen në gjendje të lirë akuzohen nga Prokuroria e Krujës për shpërdorim detyre, pasi me abuzimin me detyrën u kanë krijuar lehtësira grabitësve të rrëmbejnë 995 mijë euro brenda pistës së Rinasit.

Vangjel Nikolla është inxhinier dhe përpara se të përfshihej në valën e hetimeve , kishte detyrën e drejtorit të Shërbimeve në Aeroportin Nënë Tereza.

Megjithëse ai pretendon pafajësinë prokuroria thotë se 57-vjeçari është personi përgjegjës që duhet të kontrollonte elementet e sigurisë në aeroport,  të marra përsipër sipas një marrëveshjeje mes TIA-s dhe ICST për të njëjtën shkelje është i bashkëpandehur me të edhe Arben Karafili, ish shef-stacioni i kompanisë së nënkontraktuar  në aeroport dhe sipas vlerësimit të prokuroreve ai duhet të merrte masa për parandalimin e ngjarjeve që cenojnë sigurinë e aeroportit sikurse ishte edhe grabitja e armatosur.

Por sipas prokurorisë asnjeri nga agjentet e  sigurisë, as  Bledar Blloshmi dhe as Fadil Jonuzaj, jo vetëm nuk e konstatuan automjetin e dyshimtë që theu perimetrin e brendshëm të aeroportit, por ata nuk njoftuan në kohë as policinë.

Siç treguan hetimet shkelja e pestë është kryer nga punonjësi i bankës Kujtim Picari,  i cili teksa priste brenda pistës të dorëzonte valutën, kishte lënë të hapur derën e mjetit të blinduar duke iu krijuar grabitësve aksesin e një grabitjeje që zgjati 3 minuta .

Por Picari kërkoi gjykim të shkurtuar.

Për grabitësit hetimet po zhvillohen nga Krimet e Rënda edhe për grup të strukturuar kriminal, ndërsa është shpallur në kërkim njeri prej tyre. Ai është Aleks Pepa nga Elbasani i tradhtuar nga një fije floku e gjetur në një paruke, ndërkohë që në banesën e tij u gjetën 50 mijë euro të fshehura në frigorifer dhe që dyshohen se i përkasin lekëve të Rinasit.

Top Channel