Frikë nga hakmarrja; Zhduket familja e ish-komandos vrasës

06/03/2017 00:00

Frika nga hakmarrja e ka boshatisur shtëpinë e ish-Komandos Alban Voda në fshatin Ujë Mirë të njësisë Sukë në Bashkinë e Këlcyrës. Vëllai i 66-vjeçarit Nesim Hoxha reagon ashpër ndaj familjes së autorit të ngjarjes me të cilën ka edhe lidhje krushqie.

“Ta dëgjojë e gjithë bota, unë nuk rroj gjatë sa ta çoj atje “sipër”, jo vetëm atë, por të gjithë si familje”, u shpreh Tafil Hoxha, vëllai i viktimës.

Megjithë lidhjen mes dy familjeve, konfliktet nuk kanë munguar asnjëherë. Vëllai i madh i viktimës tregon se 4 vite më parë të vëllait i kanë djegur rezervat e barit dhe kasollen e bagëtive duke u shkrumbuar rreth 30 krerë bagëtish. Autori nuk u gjet asnjëherë, ndërsa para një viti Alban Voda e ka goditur me gur në kokë vëllain e tyre, por që familja e tërhoqi denoncimin pas ndërhyrjes së babait të ish-Komandos.

Kanë qenë 4 raste, djegia e mullarit, djegia e kasolles me dhentë, plagosja e tij me gur dhe heqja e kokës. Sepse ne pranuam pajtimin”, u shpreh Shyqeri Hoxha, vëllai i viktimës.

Kryeplaku i fshatit thotë se Albanin e njeh njeri pa probleme, por që nuk komunikonte më që pas kthimit nga shërbimi në Afganistan.

“Kur donte të fliste, kur nuk donte s’të kthente përgjigje”, shprehet kryplaku Asllan Sako.

Ish komando i tregoi policëve se vrasjen e kishte kryer sepse viktima kishte dashur ta mbyste me një kokërr ulliri, një rrëfim ky që tregon gjendjen e rënduar psikike të tij.

E megjithatë problemet mendore, ai nuk kurohej dhe nuk kishte asnjë shënim në kartelën mjekësore.

Personi nuk është paraqitur asnjëherë në qendrën shëndetësore. Nuk ka kryer asnjë vizitë tek mjeku specialist psikiatër ose te konsulta në vlorë”, thotë mjeku Arjan Xhaferaj.

“Ne i trajtojmë sa janë në radhët e FA, ndërsa më pas nuk mundemi pasi nuk jemi Ministria e Punëve Sociale. Megjithë aplikimin e kritereve te rrepta te pranimit, ngjarje të tilla tregojnë se duhet të bëjmë akoma më shumë në mënyrën e përzgjedhjes.

Top Channel