Dështon seanca e pajtimit Berisha-Karaj

06/03/2017 00:00

Ka dështuar seanca e pajtimit mes Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhe Romeo Karajt, dëshmitarit kryesor të procesit të privatizimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nga çekët e CEZ-it.

Berisha e akuzon Karajn për shpifje në deklaratat e tij. Sipas padisë, Romeo Karaj ka deklaruar se Shkëlzen Berisha ka patur miqësi me Nue Kalajn, personin që ka përfituar 6.8 milionë euro pasi çekët blenë Operatorin e Shpërndarjes në vendin tonë.

Për të vërtetuar këtë padi, avokati i Berishës, Besnik Cerekja, do të sjellë materiale filmike dhe shkrime në faqe interneti të ndryshme. Ndërsa i padituri Karaj deklaroi se do të përdorë provat që do të sjellë paditësi i tij, por do t’i pasurojë ato edhe me disa prova të tjera.

“Unë do të mbrohem me provat që do të sjellë pala tjetër, por duke i pasuruar me fakte të tjera. Do t’i kërkoj palës paditëse, por edhe gjykatës, që të marrë informacion nga hotel “Mandarina” në Çeki dhe “Austrian Airline” dhe ta plotësojmë këtë çështje, pasi nuk mund të shkohet në gjykatë me prova gjysmake”, tha Karaj.

Gjyqtari Gerd Hoxha ka shtyrë seancën për t’i lënë kohë palëve të sjellin provat si dhe për të lajmëruar prokurorinë, që do të jetë si palë e tretë në këtë proces.

Top Channel