Veliaj përuron këndin e dhjetë të lojërave në lagjen “Ali Demi”

05/03/2017 00:00

Fëmijët e kryeqytetit kanë tashmë një tjetër kënd lodrash në lagjen “Ali Demi”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se investime të ngjashme do të ketë në çdo njësi administrative, për të vijuar me ndërhyrjet në çdo lagje të Tiranës.

“Pasi përfundoi sherri te Liqeni, thashë jo vetëm që ai kënd lodrash do ishte sukses, por do të bëjmë nga një të tillë në çdo lagje. Propozimi ynë është që vitin e dytë të mandatit të fokusohemi në lagje, që të sigurohemi që kjo cilësi në rrugët kryesore, të përkthehet edhe në të gjitha sheshpushimet e pallateve dhe hapësirat komunitare”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë u kërkoi qytetarëve të mirëmbajnë këto investime: “E kemi të pamundur që me kaq investime që po bëjmë, t’i vendosim nga një roje çdo investimi. Ama, nëse secili qytetar sillet si kujdestar, sillet si njeri i vëmendshëm, sepse ky kënd i shërben gjithë komunitetit, atëherë do të mund të kemi një jetë më të gjatë në këto investime”.

Një tjetër apel për qytetarët nga kreu i bashkisë është pjesëmarrja në përzgjedhjen e administratorëve të pallateve, të cilët do të lehtësojnë zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit.

Top Channel