Skenarët e vetting-ut, Hysi: Zbatojmë rregulloren; Spaho: Nuk shkojmë në seancë

05/03/2017 00:00

Anëtarja socialiste e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi nuk parashikon dot fatin e seancës së jashtëzakonshme parlamentare të thirrur nga kryetari Ilir Meta për votimin e deputetëve si anëtarë të komisioneve të vetting-ut nëse opozita i qëndron bojkotit.

Sipas Hysit, për të votuar komisionet e vetting-ut, kërkohet shumicë e thjeshtë.

“Mënyra se si do të operojnë komisionet “ad hoc” bazohet në ligjet e vetting-ut dhe në rregulloren e Kuvendit. Do të zbatohet rregullorja e Kuvendit. Vendimet ne nuk i marrim me shumicë absolute, domethënë nuk i marrim me 3/5 apo me 2/3”, shpjegoi Hysi.

Por, si do të shkojë kjo seancë, sipas nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, kur deputetët e PD-së nuk do të marrin pjesë.

“Ne e kemi përcaktuar qëndrimin tonë. Derisa të japë dorëheqjen qeveria dhe të krijohet qeveria teknike, ne jemi në çadër, jo në Parlament. Vetting-un e bllokon Edi Rama me kriminelët në Parlament, drogën dhe korrupsion”, tha Spaho.

Nëse procesi nis të hënën pasdite në Parlament, brenda pak ditësh, sipas deputetes Hysi, komisioni i parë, ai i verifikimit, i përbërë nga 3 deputetë të pozitës dhe 3 të opozitës, do të realizojë një seancë dëgjimore me 100 kandidatët e mbetur në garë, nga të cilët Parlamenti do të miratojë me votim 27 anëtarët e organeve të vetting-ut, për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të Reformës në Drejtësi, pas propozimit të komisionit të dytë “ad hoc”, atij të përzgjedhjes.

“Unë nuk mund të parashikoj konkretisht se si do të ecë procesi, nuk jam unë që e përcaktoj, por unë i ftoj kolegët e opozitës të vijnë në seancë ditën e hënë, të miratojmë përbërjen e komisionit “ad hoc”, të miratojmë rregulloren dhe të fillojë puna. Është muaj deciziv nëqoftëse duam të bëjmë reformën në drejtësi”, tha Hysi.

Top Channel