Ministrja Kodheli leksion në Universitetin e Strugës

04/03/2017 00:00

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli tha para studentëve të universtetit kombëtar të Strugës se siguria kombëtare krijoi garancinë më të fuqishme të mundshme për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Në fjalën e saj, ministrja Kodheli, tha se me anëtarësimin në Aleancë, Shqipëria u bë partneri i qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, me të cilat i duhet të diskutojë perspektivat dhe të ndajë vendimmarrjen. Ndoshta në dallim nga vendet e tjera të rajonit, anëtarësimi kishte rëndësi dhe më të madhe, pasi kjo aleancë, sipas saj, luajti një rol jetik në ndalimin e luftërave në Ballkan dhe posaçërisht, në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Duke folur për buxhetin e mbrojtjes, ministrja Kodheli paralajmëroi një shtesë fondesh që i paraprin një projekti të rëndësishëm për sigurinë e vendit. “Do të bëjmë një rialokim fondesh dhe ne do të përfitojmë si Ministri një shumë të konsiderueshme parash që do të na mundësojnë t’i futemi një projekti madhor, shumë të rëndësishëm për ne, për sigurinë e Shqipërisë.”- u shpreh ajo.
 
Gjatë qëndrimit në Strugë, zonja Kodheli zhvilloi një takim edhe me kryetarin e BDI Ali Ahmeti, me të cilin diskutoi në lidhje me ndihmën e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, ku zonja Kodheli tregoi gatishmërinë për të qenë edhe më tutje një zë i fortë në drejtim të vazhdimit të kësaj ndihme.

Top Channel