
Me një zarf të vulosur, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i dorëzoi Avokatit të Popullit emrat e aplikantëve që i sheh të përshtatshëm si kandidatë për organet e reja të vettingut.
Por, ndryshe nga letra që shefja e ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera i ka çuar Totozanit, duket se çështja është më e komplikuar nga sa pritej.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka dorëzuar Avokatit jo një listë, por dy. Në listën e parë janë hequr 8 nga 29 aplikantë që AP i konsideronte se plotësonin kriteret formale.
ONM thotë se për këta të tetë jep një rekomandim negativ, por nuk dihet nëse ky rekomandim vjen për shkak se ONM ka gjetur paskatësi tek kriteret formale, apo ka të dhëna të tjera për ta.
Në listën e dytë me 164 aplikantë, që sipas AP nuk plotësojnë kriteret formale, ONM vlerëson me rekomandim negativ 85 prej tyre dhe ka ndezur dritën jeshile për 79 të tjerë. Por shumë nga këtyre 79 personave do t’u duhet të plotësojnë dosjet e tyre sërish.
“Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM vunë re se një numër i madh nga këta 79 aplikantë duket se kanë, të paktën në letër, eksperiencën profesionale të përshtatshme, por nuk sollën disa nga certifikatat e nevojshme”, thuhet në letrën që Calavera i ka dërguar Totozanit.
Pavarësisht kësaj anomalie, ONM ka një sugjerim se si komisioni parlamentar përzgjedhës duhet të veprojë.
“Si rezultat, komiteti përgjegjës parlamentar ad hoc mund të dëshirojë që të rishikojë këto aplikime, për të kërkuar mbase certifikatat që mungojnë dhe të jetë më i saktë vendimin e mundshëm për të rikonsideruar këta kandidatë për listën e votimit”, ka thënë Calavera.
Calavera ka dhënë dhe një sugjerim tjetër, nëse komisioni parlamentar nuk e merr parasysh rekomandimin e saj.
“Nëse komiteti nuk e zgjedh këtë opsion, apo nuk gjen kandidatë të përshtatshëm gjatë rishikimit të tij, 21 aplikantët e përshtatshëm përfaqësojnë që tani një grup të përshtatshëm për nisjen e formimit të organeve të vettingut, duke kompletuar në një hap të dytë: numrin e plotë të emërimeve”, ka thënë Calavera.
Duket se operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i jep kështu zgjidhje një debati të vjetër dhe politik për listën e kandidatëve që opozita e ka quajtur të vogël dhe thuajse të njëjtë me numrin e vendeve në komsione.
Tashmë, numri i kandidatëve pozitivë në total nga të dyja listat shkon në 100 dhe ONM ka mundësuar fillimin e punës pa lejuar debate për numrin dhe cilësinë.
Top Channel