Universiteti i Harvardit, asistencë teknike për urbanistikën e Tiranës

03/03/2017 00:00

Universiteti i Harvardit do të nisë një program asistence teknike për zhvillimin urban dhe inovacionin e qytetit të Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Simmon Battisti, koordinator për Planifikimin dhe Edukimin, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit Urban në Bashkinë e Tiranës, Ditjon Baboçi, morën pjesë në konferencën e zhvilluar dje në Universitetin e Harvardit në SHBA, ku u prezantua vizioni i Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, si dhe shpallja e programit të bursave Harvard-Tirana për studentët e Masterit në planifikimin e urbanistikën e Kryeqytetit shqiptar.

Duke nisur nga kjo verë, Bashkia e Tiranës do të presë me bursa të Harvardit studentët më të talentuar nga Masteri i Graduate School of Design & Urban Planning, të cilët do të punojnë në departamentin e planifikimit urban me projekte që kanë të bëjnë me Planin e Përgjithshëm Vendor të kryeqytetit, i sapomiratuar nga Këshilli Bashkiak.

Më 29 dhjetor 2016, Këshilli Bashkiak miratoi Planin e ri të Përgjithshëm Vendor për Tiranën, i titulluar “Tirana 030”. Dokumenti me 1200 faqe është baza për planifikimin dhe zhvillimin e qytetit në trembëdhjetë vitet e ardhshme dhe përshkruan një seri projektesh urgjente e të nevojshme për kryeqytetin.

Plani i Përgjithshëm Vendor parashikon në total 13 Projekte strategjike, të cilat përbëjnë përbërësin strukturor të Planit.

Top Channel