Rusia i ka bërë thirrje Perëndimit që të ndalë ndërhyrjen në ato që i quan çështje të brendshme të Maqedonisë.

Moska ka reagur përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku akuzon vendet Perëndimore se po përdorin shqiptarët për të sjellë në pushtet një parti që humbi zgjedhjet, ndërsa kërkesat e shqiptarëve i quan ultimatume.

“Opozita pranoi ultimatumet e shqiptarëve, që çojnë në një erozion të parimeve kushtetuese të vendit. Përpjekjet dhe skemat e hartuara dhe nxitura nga jashtë Maqedonisë, përkundër vullnetit të votuesve vendas, vetëm sa përshkallëzojnë krizën në të cilën është përfshirë vendi, ndaj është e nevojshëm ndalimi i menjëhershëm i ndërhyrjeve nga jashtë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Reagimi rus ka mbërritur pak pas mesazhit të drejtpërdrejtë të përcjellë nga Federica Mogherini një ditë më parë në Shkup, ky kryediplomatja e Bashkimit Europian i kërkoi Presidentit Gjorge Ivanov që të kthejë mbrapsht vendimin refuzues për mandatimin e Zoran Zaev.

Top Channel