Raporti i DASH për të drejtat e njeriut në Shqipëri

03/03/2017 00:00

Raporti më i fundit i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut veçon korrupsionin e kudondodhur në të gjitha degët e qeverisjes, veçanërisht në sistemin gjyqësor dhe atë të kujdesit shëndetësor, si dhe dhunën në familje e diskriminimin ndaj grave, si problemet kryesore në Shqipëri.

Sipas raportit, presioni politik, kërcënimi, korrupsioni i gjerë dhe burimet e kufizuara, në disa raste kanë bërë që Gjyqësori të mos funksionojë në mënyrë të pavarur dhe efikase. Emërimet e politizuara në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë kërcënojnë të dëmtojnë pavarësinë dhe integritetin e këtyre institucioneve.

Dy vende vakante në Gjykatën e Lartë u lanë bosh për afro 3 vite, pavarësisht një numri të konsiderueshëm lëndësh të depozituara në gjykatë. Ministria e Drejtësisë, në përgjithësi nuk ka marrë masa disiplinore vigoroze ndaj gjykatësve. Edhe kur e ka bërë këtë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka hezituar t’i zbatojë ato.

Mosndëshkimi mbetet një problem, nënvizon raporti. Përndjekja dhe veçanërisht dënimi i zyrtarëve që kanë kryer abuzime kanë qenë sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe ata me interesa të fuqishme biznesi, shpesh kanë mundur të evitojnë përndjekjen. Raporti sjell edhe rastin e Gjykatës së Lartë, që la në fuqi rrëzimin e dënimit me një dhe 3 vite burg për pjesëtarët e Gardës së Republikës së Shqipërisë, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, të akuzuar në vitin 2011 për vrasjen e 4 protestuesve.

Policia, – thuhet në raport, – jo gjithnjë ka mundur të garantojë zbatimin e ligjit. Lidhjet personale, politike apo kriminale, infrastruktura e varfër, mungesa e pajisjeve etj., shpesh kanë ndikuar te zbatimi i ligjit.

Në kuadër të arritjeve, DASH ndalet te ligji i Dekriminalizimit dhe reforma në sistemin gjyqësor, të miratuara në Parlament. Sipas DASH, ligji për “vetting”-un i miratuar në gusht ka si qëllim reduktimin e korrupsionit mes prokurorëve dhe gjykatësve.

Ndërkohë, sipas raportit, qeveria nuk ka trajtuar siç duhet çështjen e kthimit të pronave të konfiskuara gjatë periudhës së komunizmit, ndërsa edhe të dënuarit politikë nuk janë kompensuar ende.

Duke u ndalur te media, DASH nënvizon se qeveria, biznesi dhe grupet kriminale kanë tentuar të ndikojnë te media në mënyra të ndryshme dhe ka raporte për dhunë dhe kërcënime ndaj gazetarëve. Media e pavarur, – thuhet në raport, – ka qenë aktive dhe ka shprehur një numër këndvështrimesh, pavarësisht disa rasteve të presionit politik dhe ekonomik në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe indirekte.

Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e financimeve kanë kufizuar median e shtypur të pavarur dhe gazetarët kanë praktikuar vetëcensurën. Një vëzhgim i vitit 2015 nga “BIRN Albania” zbuloi se, një numër i madh kompanish tregtare dhe atyre të publiciteteve ishin burime kyçe presioni.

Më 20 gusht, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënoi shkarkimin arbitrar nga puna të Alida Totës, drejtore lajmesh në televizionin “A1 TV”, për raportimin e rastit të vdekjes së një 17-vjeçari që punonte në landfillin e Sharrës. Media “online” ka njohur rritje dramatike gjatë 2016-s, duke shtuar diversitetin e këndvështrimeve. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e qytetarëve i marrin informacionet e tyre nga televizioni dhe radio.

Top Channel