Federica Mogherini është ndalur në Ballkan për të ruajtur frymën e paqes. Në Kuvendin e Serbisë çoi mesazhin se, pa Ballkanin, familja europiane nuk është e plotë. Por duartrokitjet e mirëseardhjes u përzien me ato të radikalëve serbë të Vojislav Sheshelit, të cilët nga ulëset e Kuvendit thërrisnin emrin e Rusisë.

“Nëse keni llogaritur se unë do të lodhem, gënjeheni. I tërë rajoni po kalon periudhë të rëndë dhe e kuptoj që ju keni fushatë këtu”, tha Federica Mogherini, shefe e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

Kjo e pengoi kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç, që të ofronte një mikpritje siç kishte dëshiruar. Në “vilën e paqes” u takuan më qetë sesa në Kuvend.

Mogherini zbuti tensionet duke thënë se, si italiane është mësuar me parlamente të tilla. Ajo që është e rëndësishme për të është e ardhmja e Ballkanit, që edhe për BE-në duket e trazuar.

“Paqja në Ballkan është paqe në Europë. Ka pasur përpjekje për ta vënë këtë në pikëpyetje. BE është e gatshme të punojë me të gjithë, e së pari me Serbinë, që paqja të jetë një arritje e pakthyeshme. Bashkimi Europian është krijuar mbi bazën e ekonomisë dhe na ka sjellë 60 vite paqe. Ne besojmë se ky është modeli edhe për rajonin”, tha Federica Mogherini, kryediplomatja e BE-së.

Kryeministri Vuçiç, pasi shprehu keqardhjen për incidentet në Kuvend, tha se Serbia është e përkushtuar drejt paqes në rajon. Por i bindur se, ndaj shtetit dhe popullit të tij ka standarde të dyfishta. Kritikoi zhvillimet në rajon dhe disa herë ndaloi te shqiptarët.

“Nuk e di se çfarë do të thonë të gjitha këto. A do të marrë Rama çmim tani, kur thotë se nuk ka Maqedoni pa shqiptarë, apo Bosnja që na ka paditur neve. Nuk e di a do të ndalojë dikush. Fakti që heshtim nuk do të thotë se jemi më të dobëtit. Këtë ia kam thënë edhe Mogherinit. Ne kujdesemi për stabilitetin dhe të ardhmen e Serbisë”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.

Bashkimi Europian ka lënë dyert hapur për Ballkanin, duke saktësuar se e ardhmja nuk do të jetë vetëm me aq shtete sa ka BE-ja. Por investitorët e së ardhmes nuk e shohin rajonin si adresë, pa krijuar kushte normale.

Top Channel