Qeveria: Gati për dialog me PD

03/03/2017 10:50

Në ditën e 14-të të protestës së opozitës, dy kampet kryesore politike kanë nisur komunikimin në distancë në përpjekje për të rikthyer normalitetin politik.

Çështja e opozitës ishte një nga pikat kryesore të takimit të drejtuesve të koalicionit qeveritar. Rama dhe Meta kanë shprehur gatishmërinë të dialogojnë me opozitën për domosdoshmërinë e avancimit të dy reformave kryesore: zbatimin e reformës në drejtesi, duke nisur me vettingun dhe reformën elektorale për të patur një proces zgjedhor me besueshmëri të lartë e transparencë të plotë.

Koalicioni qeveritar është i gatshëm të mirëpresë çdo propozim konkret dhe realist të opozitës për procesin zgjedhor dhe për të treguar se kanë vullnet në zgjidhjen e këtyre çështjeve, Rama dhe Meta janë të gatshëm të takohen me opozitën edhe jashtë Parlamentit, ose siç thuhet në deklaratë, “janë të gatshëm në Kuvend apo në çdo tryezë dialogu që është e dëshirueshme për opozitën.

Pothuajse menjëherë, Lulzim Basha mblodhi koalicionin opozitar. Megjithëse në thelb, qëndrimi i opozitës nuk ndyshon, në deklaratë vihet re përdorimi i një terminologjie të ndryshme nga ajo e përdorur këto dy javë tek çadra e protestës.

Termi “qeveri teknike” është zëvendësuar me atë të “një qeverie me mbështetje të gjerë politike. Koalicioni opozitar, duke theksuar kërcënimin e zgjedhjeve nga krimi dhe droga e qeverisë, shprehu gatishmërinë për “një tryezë dialogu të vërtetë dhe jo fasadë”.

Sipas opozitës, kjo tryezë duhet të ketë qëllim krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme përmes një qeverie me mbështetje të gjerë politike që do të garantojë 4 pika kyçe: zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, luftën kundër narkotrafikut, përgatitjen e zgjedhjeve të lira e zgjedhjeve të lira dhe zbatimin e reformës në drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese.

Nisja e komunikimit mes dy kampeve politike përkon me vizitën e ministres së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, axhenda e të cilës ka një risi.

Në të është përfshirë një takim me kreun e opozitës, Lulzim Basha, i cili deri të enjten në mbrëmje, nuk e dinte që do ta takonte dhe as përse ishte përjashtuar nga takimet.

Top Channel mësoi se takimi me zotin Basha është përfshirë në axhendë paraditen e së premtes dhe se zyrat e protokollit nuk kanë qenë pjesë e përgatitjes së takimit.

Top Channel