Nishani-Mogherini: Shqipëria, lart në axhendën e BE-së

03/03/2017 00:00

Ndalesën e saj të parë në Shqipëri, vizitë që po e zhvillon në kuadër të turit ballkanik, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, njëkohësisht zv.presidente e Komisionit Europian, Federica Mogherini e ka bërë në Presidencë, ku është takuar me Presidentin e Republikës Bujar Nishani.

Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi mbajtjen lart në axhendën e BE-së të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit, si dhe falënderoi Mogherinin për angazhimin e madh të të gjitha institucioneve europiane për ecurinë e reformave në Shqipëri. Nishani evidentoi gjtihashtu se, pas propozimit të Komisionit Europian për vendin tonë dhe konkluzioneve të Këshillit të Europës, fushat prioritare ku vendi duhet të bëjë përparim janë tejet të qarta.

Presidenti Nishani theksoi se, ndërsa që Reforma në Drejtësi ka pasur një zhvillim pozitiv në dy vitet e fundit, tashmë ajo ka mbërritur në një etapë të rëndësishme që kërkon krijimin e mekanizmave legjitime, të besueshme dhe të shëndetshme për zbatimin efikas të saj. Në këtë kontekst, ai theksoi se është tejet e rëndësishme që ky proces të ecë vetëm mbi baza kushtetuese dhe ligjore, të shmanget politizimi i tij dhe të inkurajohet gjithëpërfshirja, si garancitë e besueshmërisë te qytetarët shqiptarë.

Kreu i shtetit shtoi se Reforma në Drejtësi është e lidhur ngushtë edhe me reforma të tjera si ajo zgjedhore dhe dekriminalizimin e institucioneve dhe administratës publike, pasi të tria këto lidhen me perspektivën europiane të Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë.

Nishani është ndalur edhe në zhvillimet e fundit në rajon, teksa garantoi se Shqipëria nuk ndërhyn në punët e brendshme të asnjë vendi tjetër dhe se do të vazhdojë të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ai shprehu shqetësimin e përdorimit të një gjuhe armiqësore ndaj shqiptarëve në Maqedoni, për qëllime që lidhen me garën politike në vend. Presidenti theksoi se “platforma” e partive shqiptare në Maqedoni është produkt i vet atyre partive, të cilin Shqipëria e mbështet duke e parë në frymën e zbatimit të “Marrëveshjes së Ohrit”, duke mbështetur gjithmonë bashkëjetesën si qytetarë të barabartë ndërmjet të gjitha etnive atje, ashtu sikurse ndjekim parimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Top Channel