Çështja e zbatimit të reformës në drejtësi ishte pika kryesore e axhendës së Federica Mogherinit në Tiranë.
Njoftimet zyrtare të Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Kuvendit, janë përqendruar te nevoja për të bazuar reformën në Kushtetutë dhe për ta bërë atë sa më të besueshme.
Të njëjtën çështje Federica Mogherini e ka diskutuar edhe me kreun e opozitës, por ajo e bëri publik mesazhin e saj për Bashën, nga zyra e kryeministrit Rama.
“Kam qenë shumë e qartë në atë që kam thënë, se ata që po përpiqen të vonojnë ose të ulin ritmin e reformave, do të rrezikojnë integrimin në BE”, u shpreh Mogherini.
Vizita e ministres së jashtme të Bashkimit Evropian përkon me nisjen e procedurave të parlamentit të hënën, për ngritjen e komisioneve të vettingut. Një proces që nuk mund të kryhet pa pjesëmarrjen e opozitës.
Edhe për këtë Federica Mogherini foli pa doreza: “Kam qenë e qartë se bojkoti i parlamentit do të thotë bllokim i krijimit të komisioneve të vettingut dhe de facto kjo ndal progresin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo ndodh në një moment kur vendi juaj ka mundësinë e vërtetë që të ecë përpara, në rrugën e saj drejt B-së”.
Shefja e politikes së jashtme të Bashkimit Evropian, duke nxitur dialogun brenda parlamentit, foli qartë edhe për çështjen e zgjedhjeve.
“Besoj se është kyçe që të ketë përgatitje për zgjedhjet, në mënyrë të lirë e të ndershme. Në këtë kohë që ka mbetur, besoj se do të jetë e mundur që të përdoren disa rekomandime të OSBE-ODIHR dhe Bashkimi Evropian do të jetë i gatshëm të mbështesë këtë proces, me të gjitha mënyrat tona të mundshme”, tha ajo.
Federica Mogherini foli kaq hapur, sa edhe kryeministrit Rama nuk i mbeti shumë për të thënë.
Më qartë se kaq…
Top Channel